Nga Blodnews.al
Nuk ka më ta fusësh pa merita. As mesazhe në Whatsapp apo telefonata të gjata të tipit: “shihe një herë, më bën nder nëse do e fusësh”… Fjala është për një vend pune, kur ata- ato, futen me pa të drejtë pasi janë miku, mikesha, i afërmi, familjari apo shoku i një deputeti apo deputeteje, sigurisht të pushtetit, pasi ata kanë fuqinë e futjes…
“Unë do të propozoj që çdo ndërhyrje e një deputeti për të futur dikë në punë të quhet vepër penale. Do t’ju shoh të gjithëve në sy dhe do t’ju kërkoj ta votoni. Çdo mesazh i çuar: “Fute këtë”, “shife atë”, të konsiderohet vepër penale”, tha Rama në një fjalim të gjatë ku përmendi shumë po shumë shpesh fjalën pasqyrë, por ajo që mbeti ishte ky “propozim” i çuditshëm që gjithsesi nuk është as projektligj dhe jo më ligj.
Por efekti u dha që dje. Algoritmi sa herë përmendej fjala “futje” kapte deputetë dhe deputete dhe sigurisht edhe kreun e qeverisë. Kjo ishte arritja e parë, por përtej fjalës së thënë jo pa qëllim pasi e kuptoi se pika kulminante nuk ishte platforma me pasqyra, si ato të “kolonizatorëve” që ua japnin autoktonëve për t’i mashtruar, por hakërrimi se do të ndryshinte konceptin e punësimit.
Por kjo nuk është diçka e re. E kishte një formë relaksi kryeministri Rama teksa qytet më qytet, fshat më fshat e rrugë më rrugë ku kishte më shumë se dy njërëz dhe një kamera që ai të përshfaqte me orë të gjata nismat se meritokracia dhe jo miku ishin vlerat e qeverisjes së tij. Portal pas portali përshfaqeshin si nisma që mposhtnin “mikun në parti”, padyshim që i pari që do e trumbetonte do ishte vetë Rama.
Pasi përbetohej se nëpërmjet meritorkacisë gjendej puna, vetë më pas mbante po referate të gjata që kundërshtonte veten. “Ujësjellësi kanë qenë historikisht ndërmarrje për të punësuar militantë, krushq dhe kushërinj”, deklaronte Rama në vitin 2021, pak muaj para se tu merret më shumë se gjysmën e administrimit të ujësjellësve pushtetit lokal.
Po ashtu edhe në administratën publike të afërmit e pushtetarëve janë “mendje të ndritura” që gjenden në poste të rëndësishme. Vellai, nipi, mbesa, kushëriri ca më larg se ata e çdo roç e poç të lidhur me deputetë, ministra, kryabashkiakë e ca më poshtë çajnë çdo portal. Por tani e më pas sipas Ramës do jetë “vepër penale” nëse një deputeti i gjendet në telefon mesazhi: “Shihe atë, fute këtë”.














