Flash News

E-TJERA

Zjarr masiv në Himarë, digjet një banesë, në rrezik disa të tjera

zjarri-ne-himare.jpg

Situatë alarmante në Himarë, ku një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë kodrat pranë lagjes “1 Maji”, duke iu afruar zonave të banuara.

Flakët kanë përfshirë edhe një banesë, ndërsa rrezikohen shtëpi të tjera dhe sipërfaqe me pemëtari.

Zjarri ka nisur mbrëmjen e kësaj të premteje dhe, i favorizuar nga era e fortë, është përhapur me shpejtësi në terren.

Banorë të Himarës janë angazhuar krah forcave zjarrfikëse, për të frenuar avancimin e flakëve dhe për të mbrojtur banesat që ndodhen pranë zonës së përfshirë nga zjarri.

Për shkak të intensitetit të flakëve dhe kushteve të vështira atmosferike, është kërkuar edhe përforcim me mjete zjarrfikëse nga bashkitë fqinje.

Në fokus të ndërhyrjes është izolimi i vatrës dhe parandalimi i përhapjes së mëtejshme drejt banesave dhe pronave të tjera.

Ndërkohë, përmasat e zjarrit dhe afërsia me zonat e banuara kanë rritur shqetësimin në Himarë, ndërsa ekipet në terren vijojnë punën për vendosjen e situatës nën kontroll.

Të fundit