Flash News

E-TJERA

Përplasja në Orikum, Rama: Do shpronësojmë zonën! Bardhi: Pse duhet ta paguajnë shqiptarët?

Screenshot 2026-09-04 203547.png

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për përplasjen e djeshme mes dy sipërmarrësve në zonën e Orikumit në Vlorë.

Ai ka njoftuar sot se qeveria ka vendosur të shpronësojë zonën ku lindi konflikti dhe ta kthejë atë në një hapësirë publike dhe turistike.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Rama e cilësoi përplasjen si banale dhe brutale, ndërsa tha se vendimi për shpronësimin është marrë pas shqyrtimit të situatës dhe hartës pronësore të zonës.

“Ne kemi vendosur ta shpronësojmë për interes publik të gjithë atë zonë të atij konflikti banal e brutal të ditës së djeshme dhe ta kthejmë sipas ligjit në një aset publik dhe turistik për të gjithë”, deklaroi Rama.

Sipas tij, çdo formë dhune, arrogance apo papërgjegjshmërie ndaj qytetarëve, klientëve apo hapësirës publike duhet të marrë përgjigjen e duhur.

Bardhi: Rama po përpiqet ta mbyllë skandalin
Pas deklaratës së kryeministrit ka reaguar kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili e kundërshton versionin e Ramës për konfliktin.

Bardhi argumenton se çështja nuk mund të trajtohet thjesht si një sherr banal, pasi sipas tij në themel të përplasjes qëndron një konflikt pronësie dhe mbivendosje të të drejtave të zhvillimit.

“Njërin prej biznesmenëve Edi Rama e ka shpallur investitor strategjik, i ka vënë në dispozicion mbi 200 mijë m² tokë publike për të ndërtuar dhe i ka dhënë bregdetin në përdorim për 99 vjet. Tjetrit i ka dhënë leje për një projekt të ngjashëm”, shkruan Bardhi.

Sipas tij, pyetja kryesore është se si janë dhënë të drejta zhvillimi mbi prona që rezultojnë të mbivendosura.

Bardhi akuzon kryeministrin se, në vend që të shqyrtojë statusin e investitorit strategjik, lejet e ndërtimit dhe dokumentacionin e pronësisë, po zgjedh zgjidhjen e shpronësimit.

Ai e konsideron këtë një faturë që mund të përfundojë te qytetarët, pasi shpronësimi nënkupton kompensim financiar nga fondet publike.

 “Ky nuk është as një sherr banal, as një çështje etike qytetare apo imazhi të turizmit. Duhet hetuar nëse Kryeministri po përpiqet të mbyllë me sa më pak zhurmë dhe me shumë milionë euro të shqiptarëve një problem të krijuar me firmën dhe vullnetin e tij”, përfundon Bardhi.

 

 

Të fundit