Flash News

OPINEWS

Kur autoriteti shtetit bëhet me rotacion

-1000-0-lutfi.jpg

Nga Lutfi Dervishi
Shteti na duhet për të përdorë forcën sipas ligjit, për të ndaluar keqbërësin, për të parandaluar një konflikt, për të vendosur një gjobë dhe mbi të gjitha, është garanti që ligji zbatohet njësoj për të gjithë. Pa shtet, njeriu për njeriun bëhet ujk.
Ngjarjet e ditëve, javëve, muajve dhe viteve të fundit të bëjnë të mendosh se mes të tjerash edhe autoriteti i shtetit është privatizuar.
Tre muaj më parë, në Zvërnec, një qytetar u tërhoq zvarrë nga të fortë të një kompanie private, në prani të policëve dhe eprorëve të tyre madje as këta të fundit nuk i shpëtuan sperkatjes me spray me piper në fytyrë.
Policia ishte aty, por forcën e ushtruan "të fortët".
Tre ditë më parë, më 3 shtator, në Palase, një grup personash, disa të armatosur, mbërriti në hotelin e biznesmenit Vasil Bedinaj. Sipas denoncimit të tij, iu kërkuan 5 milionë euro dhe iu dha ultimatum prej 48 orësh për t’u larguar nga Shqipëria.
Sipas palës tjetër është fjala për një konflikt pronësie. Konflikt që normalisht duhet të kalojë nga hipoteka, gjykata dhe përmbarimi, përfundon me "të fortë" në një hotel me pesë yje.
Historia bëhet edhe më interesante kur del se mes pjesëmarrësve ishin dhe dy truproja të ministrit të Mbrojtjes, punonjës të Policisë Ushtarake
Në Sarandë, më 16 gusht, rojet e sigurisë së një lokali u konfliktuan me disa persona dhe më pas goditën edhe Shefin e hetimit të krimit të Komisariatit, i cili kishte ndërhyrë pasi ishte prezantuar si punonjës policie. Dy nga gjashtë të arrestuarit ishin punonjës policie. Ata punonin, pa leje, edhe për lokalin privat dhe, sipas Policisë, nuk kishin ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.
Pra policia u gjend në të dyja anët e barrikadës. Njëri përpiqet të vendosë rendin, dy të tjerë punojnë privatisht aty ku rendi prishet dhe për të rikthyer rendin duhet të vijë përsëri policia.
Arrestimi i sotëm i këngëtarit J.M e bën edhe më të dukshëm fenomenin e të fortëve që kanë marrë autoritetin e shtetit. Një video e bërë publike shfaq të dhunuar in, por edhe një tabelë të policisë për të ndaluar automjetet në rrugë. Kur sheh tabelën qytetari ndalon sepse mendon se po i bindet shtetit.
Edhe fenelinat, simboli më i dukshëm i autoritetit shtetëror në rrugë, prej kohësh janë privatizuar. Në 2020, Policia arrestoi dy persona të akuzuar se i kishin vendosur një qytetari gjobë 21 mijë eurosh. Ata lëviznin me një automjet të pajisur me fenelina dhe sirenë policie. (Njëri prej tyre duhej të ishte në arrest shtëpie).
Në prill të këtij viti, Policia zhvilloi madje një operacion të posaçëm, të koduar “Signals”, dhe arrestoi dy persona që tregtonin ilegalisht fenelina dhe pajisje të tjera si ato të policisë.
Kemi mbërritur në pikën që kujt i shkrepet në mendje shfaqet si "shtet".
Por çfarë ndodh kur policia nuk ka përballë investitorë strategjike, biznesmenë, njerëz me armë apo roje private, por qytetarë që protestojnë.
Atëherë shteti duket se e merr shpejt veten. Në mënyrë të përsëritur gjatë protestës, policia përdor gaz lotsjellës, spray me piper dhe ujë me presion pa bërë dallim nëse ka përballë protestues paqësore apo individë të dhunshëm
Para pak ditësh në një rast të bërë publik, një qytetar që po regjistronte ndërhyrjen e policisë u mor me forcë drejt komisariatit dhe iu mor telefoni.
Kur privati ushtron forcë para policisë, policia squllet, kur njerëz të armatosur shkojnë të zgjidhin një konflikt pronësie, shfaqet shteti i të fortëve, por kur qytetari nxjerr telefonin dhe proteston, shteti befas bëhet "shtet".
Për ta bërë absurdin e plotë kemi situatën e pagave me gjykatat dhe prokurorine.
Në shkurt, Gjykata Kushtetuese vendosi se formula e pagave të magjistratëve ishte antikushtetuese dhe detyroi Kuvendin të miratonte ndryshimet e nevojshme deri më 31 korrik 2026. Kuvendi nuk e zgjidhi çështjen brenda afati dhe nuk është hera e parë. Kuvendi e ka bërë rrugë që nuk e zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Shoqatat e prokurorëve dhe gjyqtarëve protestojnë, kryetari gjykates se Larte i shkruan ministrit të Financave..., ky i përgjigjet: me sillni listë pagesat e vjetra...
Imagjino për një moment që gjyqtarët dhe prokurorët, njerëzit tek të cilët qytetari shkon kur shteti apo dikush tjetër nuk zbaton ligjin, kërkojnë (kujt?) zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për pagat e tyre. Këtu çështja nuk është më rendi publik, se këte e kemi qarë, por te autoriteti institucional i shtetit.
Mos vallë duhet që gjyqtarët dhe prokurorët të presin të premten në orën 17:00 dhe të qajnë hallin te Prania Besnike??
Max Weber e përkufizonte shtetin përmes pretendimit të tij për monopolin e përdorimit legjitim të forcës fizike brenda një territori. Me fjalë të tjera shteti dhe askush tjetër nuk mund të sillet si polic, gjykatës, përmbarues apo autoritet publik sepse kështu ja thotë rradakja.
Dhe për ta mbyllur, reagimi i kryeministrit ndaj konfliktit në Radhimë i vë kapakun tenxheres. Ai e quajti ngjarjen një konflikt “banal dhe brutal” dhe njoftoi se zona e kontestuar do të shpronësohej dhe do të kthehej në një park me ullinj.
Është një zgjidhje politike hollivudiane.
Nëse ka pasur njerëz të armatosur, kërcënim, dhunë dhe eventualisht gjobëvënie, problemi nuk është se "sjellja" dhe "veprimet ishin të padenjë" për “ambasadorët e turizmit”.
Sado të lodhesh duke kërkuar për këto raste nuk do të gjesh në Kodi Penal fjalën "e padenjë". Nëse provohen akuzat, fjala është "kriminale".
Në vend që të thuhej: "tokën do ta bëjmë ullishte", mund të thuhej se ligji është një për të gjithë dhe do të zbatohet pa një e dy.
Këtu kemi kaluar fazën e të fortëve sepse këta i kemi parë të bëhen deputet, drejtore, investitorë strategjike, tashmë jemi në fazën kur qytetarët fillojnë të besojnë se për të zgjidhur një konflikt duhet të kesh njerëzit e tu, rojet e tua, armët e tua, fenelinat e tua dhe, mundësisht, ndonjë njeri me uniformë në krahun tënd.
E keni vënë re? Të fortët gjithnjë e më shpesh e përshëndesin njëri-tjetrin me fjalët: “Përshëndetje, o shtet!” ose thjesht: “Ti je shtet!” Pasi i kanë marrë shtetit autoritetin, tani i kanë marrë edhe emrin.

Të fundit