Flash News

Ditari i Opozitës

Zhupa: Zjarri në Himarë nxori në pah mungesën e investimeve në mbrojtjen e qytetarëve

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar pas zjarrit që përfshiu zonën e Himarës, duke akuzuar Bashkinë për mungesë të vullnetit politik dhe investimesh në shërbimet që lidhen me mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.

Në reagimin e saj, Zhupa deklaron se zjarri nxori në pah, sipas saj, një problem që nuk mund të fshihet pas propagandës.

Zhupa shprehet se Bashkia e Himarës ka një buxhet të konsiderueshëm për frymë, ndërsa kritikon mënyrën se si janë përdorur fondet publike.

Reagimi:

Zjarri në Himarë nxori në pah një të vërtetë që nuk mund të fshihet më pas propagandës Bashkia e Himarës nuk ka vullnet politik për t’i çuar paratë aty ku i shërbejnë dhe mbrohet qytetari.

Himara është mbushur me beton, ndërsa arka e Bashkisë mbushur me miliona euro. Gjithë këto miliona euro vijnë edhe nga dhurimi i tokave publike për investitorët strategjikë. Bashkia e Himarës ka një buxhet rreth 10 mijë euro për frymë, ndërsa vetë Tirana, qyteti më i madh dhe fuqia kryesore ekonomike e vendit, ka më pak se 1 mijë euro për frymë. Vetëm në një vit jane për mbi 130 milionë euro tendera nga Vangjel Tavo.

Me këto para, Himara duhet të kishte një shërbim zjarrfikës model, me mjete, pajisje, personel dhe kapacitet për të ndërhyrë menjëherë sapo nis zjarri. Jo të presë me orë, derisa flakët të marrin përmasa që tejkalojnë çdo kapacitet lokal.

Kur paratë publike shkojnë për fasada, projekte dhe tendera zbukurimesh dhe nuk shkojnë në shërbimet që mbrojnë jetën dhe pronën, atëherë pasojat i paguan qytetari.

Qytetari paguan me shtëpinë që i digjet. Me tokën që humbet. Me biznesin që shkatërrohet. Me kursimet e një jete që zhduken brenda pak orësh.

I bej thirrje Bashkisë Himarë, të marrë urgjentisht vendim për një fond të posaçëm dëmshpërblimi për banorët e prekur nga zjarri, me vlerësim real të dëmit dhe pagesë të shpejtë sepse ka gjithë kapacitetet financiare.

Banorët nuk kanë humbur thjesht hektar të djegur. Kanë humbur pronën, shtëpinë, punën, kursimet dhe mundin e një jete. Paratë publike duhet të jenë për qytetarët, ata nuk mund të lihen të braktisur përballë këtyre humbjeve të mëdha.

Të fundit