Flash News

E-TJERA

39 vatra zjarri në 24 orë, flakët përfshijnë Himarën dhe Fierin/ 36 persona evakuohen, digjen 6 banesa

Situata e zjarreve vijon të jetë problematike në disa qarqe të vendit, me 39 vatra të raportuara gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 11 prej tyre mbeten ende aktive.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 3 vatra janë nën mbikëqyrje, ndërsa 25 janë shuar plotësisht. Në terren janë angazhuar qindra efektivë dhe mjete zjarrfikëse, ndërsa ndërhyrja është mbështetur edhe nga ajri.

Bilanci më i rëndë është regjistruar në Himarë, ku flakët përfshinë lagjen “1 Maji”. Rreth 300 forca operacionale dhe 171 efektivë të Forcave të Armatosura u angazhuan për izolimin e zjarrit. Si pasojë, 36 persona u evakuuan dhe u dogjën 6 banesa, 3 prej të cilave ishin të banuara.

Intensiteti i flakëve në këtë zonë ka rënë dhe rreziku për banesat është shmangur, por operacioni për shuarjen e plotë të zjarrit vijon.

Edhe në Fier, në zonën Drizë–Vadhizë–Peshtan–Levan, zjarri ka kërkuar ndërhyrje nga toka dhe ajri. Pas angazhimit të forcave, rreziku për banesat është shmangur, ndërsa ekipet vijojnë punën për neutralizimin e vatrave.

Vatra aktive raportohen edhe në Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër dhe Durrës.

Në Dajt, operacioni vijon pa rrezik të drejtpërdrejtë për zonat e banuara, ndërsa në Qinam të Zall-Herrit është shmangur rreziku për banesat.

Në Dibër, flakët vijojnë në Vajkal, Lundre–Madhesh dhe Mallunxë–Lis, ndërsa në Lezhë mbeten aktive vatrat në Gallatë dhe në aksin Kalivaç–Zimaj–Kashnjet. Edhe në këto zona, autoritetet raportojnë se rreziku për banesat është shmangur.

Të fundit