Flash News

DITARI POLITIK

Kuvendi rikthehet në punime më 8 shtator, territorialja në fokus

Kuvendi i Shqipërisë do të rikthehet në punime më 8 shtator, në orën 17:00, duke nisur sesionin e ri parlamentar pas një muaji pushim.

Seanca e parë plenare do të shënojë hapjen e punimeve të sesionit të tretë të Legjislaturës së XI, ndërsa rendi i ditës është publikuar tashmë në faqen zyrtare të Kuvendit.

Sesioni i ri pritet të zhvillohet nën ndikimin e dy çështjeve kryesore: reformës territoriale dhe përgatitjeve për zgjedhjet vendore të vitit 2027, si edhe procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Reforma territoriale, e cila është ende në fazën e konsultimit publik, parashikon propozimin e mazhorancës për shkrirjen e 15 bashkive. Nisma është kundërshtuar nga opozita, ndërsa në disa prej bashkive të prekura janë zhvilluar edhe protesta nga qytetarët dhe kryebashkiakët.

Paralelisht vijojnë diskutimet për reformën zgjedhore, ku mazhoranca dhe opozita kanë punuar së bashku. Mbetet për t’u parë nëse ndryshimet e propozuara në hartën territoriale do të sjellin nevojën për ndërhyrje edhe në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që ndarja e re të aplikohet në zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Në këtë sesion pritet gjithashtu që procesi i integrimit evropian të mbetet një prej prioriteteve kryesore të punës së Kuvendit.

Të fundit