Flash News

Bota

Negociatat për luftën, Zelensky pranon armëpushimin e Putin

image (1).webp

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina është e gatshme të respektojë armëpushimin tre-ditor të shpallur nga presidenti rus Vladimir Putin, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për avancimin e negociatave për përfundimin e luftës.

Zelensky tha se Ukraina do të përmbahet nga sulmet ndaj Moskës deri në përfundim të së shtunës, si dhe gjatë të dielës dhe të hënës, duke kërkuar që Rusia të marrë të njëjtin angazhim për Kievin.

“Që nga ky moment, ne jemi të gatshëm të respektojmë një armëpushim në sulmet ajrore ndaj qyteteve të përfshira në procesin e negociatave. Ukraina është e gatshme të përmbahet nga sulmet ndaj Moskës dhe presim që edhe rusët të bëjnë të njëjtën gjë në lidhje me Kievin”, deklaroi Zelensky.

Presidenti ukrainas bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë me të dërguarit e presidentit amerikan, të cilët po angazhohen në kontakte me palën ruse në përpjekje për të çuar përpara procesin e negociatave.

Në këtë kuadër, Zelensky konfirmoi se në Kiev pritet të zhvillohen të dielën takime me ekipin amerikan, ku do të marrin pjesë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

“Po presim Steve Witkoff dhe Jared Kushner dhe jemi të gatshëm për një bisedë thelbësore”, u shpreh ai.

Zelensky theksoi se Ukraina synon që diplomacia të jetë po aq efektive sa përpjekjet e saj në fushën e mbrojtjes, ndërsa tha se plani për angazhimet diplomatike të së dielës në Kiev tashmë është miratuar.

Ndërkohë, presidenti ukrainas tha se kishte marrë raporte të reja nga drejtuesit e forcave të armatosura lidhur me situatën në front, kërcënimet në hapësirën ajrore dhe operacionet aktive mbrojtëse.

 

Të fundit