Flash News

E-TJERA

"Radhima, vetëm maja e ajsbergut", eksperti: 11 mijë të vrarë nga konfliktet për pronat

1759767103_fatjonsofta.jpg

Konflikti i dhunshëm mes biznesmenëve në Vlorë ka rikthyer në vëmendje një prej problematikave më të mprehta në Shqipëri, atë të pronësisë.

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, e cilësoi ngjarjen në Radhimë vetëm si “majën e ajsbergut”, ndërsa shtoi se konfliktet për tokën kanë shkaktuar mijëra viktima ndër vite.

I ftuar në Euronews, Softa tha se nga fillimi i viteve ’90 e deri më sot, rreth 10-11 mijë persona mund të kenë humbur jetën si pasojë e konflikteve të lidhura me pronat. 

“Radhima ishte maja e ajsbergut të problematikave që ka për pronat. Të paktën aq sa gjeta, janë rreth 10.000-11.000 të vrarë vetëm për konfliktet me pronën, nga fillimi i demokracisë dhe deri në ditët e sotme”, deklaroi Softa.

Eksperti tha se konfliktet pronësore kanë prodhuar ndër vite përçarje të thella sociale, duke sjellë përplasje mes familjeve e fiseve dhe, në raste të caktuara, përfunduar me viktima.

“Janë prishur familje të tëra për konflikte me pronën, janë prishur fise”, u shpreh ai.

Sipas Softës, situata bëhet edhe më e ndërlikuar kur në lojë hyjnë interesa të mëdha ekonomike, veçanërisht në zonat turistike ku toka ka marrë një vlerë të jashtëzakonshme.

Ai argumentoi se problemi i pronësisë është shtrirë në të gjithë territorin dhe se ndër vite konfliktet janë ushqyer edhe nga përplasja e interesave ekonomike dhe politike.

“Nuk besoj se ka pasur 1 cm tokë në këtë vend, përveç tokës shtetërore, që të mos ketë pasur një pronar”, tha Softa, duke shtuar se edhe tokat shtetërore janë kthyer në objekt interesash të ndryshme.

“Baza është prona, sepse pa zgjidhur problemin e pronës dhe të pronësisë nuk mund të zgjidhësh dot problemet të cilat janë sot dhe agravojnë pikërisht për shkak të këtyre konflikteve”, deklaroi ai.

 

Të fundit