Lajme

Udhëheqësit e shtetit serb planifikuan, organizuan dhe ekzekutuan me polici e ushtri masakrën në familjen Jashari, detaje nga aktakuza e Prokurorisë

09/05/2026 14:39
nga:L J

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 4 shtator 2026 kundër 35 personave, dokumenton në mënyrë të detajuar se Masakra e Jasharajve e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 nuk ishte rezultat i një përleshjeje të rastësishme apo i veprimeve të izoluara të disa njësive policore.

Sipas aktakuzës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, masakra ishte produkt i një organizimi të plotë shtetëror serb, i planifikuar, koordinuar dhe zbatuar nga strukturat më të larta të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë.

Në krye të këtij organizimi qëndronin Jovica Stanišić, Vlastimir Đorđević dhe Sreten Lukić, të cilët, sipas aktakuzës, hartuan, miratuan dhe mbikëqyrën operacionin që rezultoi me vrasjen e dhjetëra civilëve, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar, torturimin e tyre dhe shkatërrimin gati të plotë të lagjes Jasharaj në Prekaz të Poshtëm.

Të 35 të akuzuarit janë ish-zyrtarë dhe pjesëtarë të strukturave serbe të sigurisë e ushtrisë. Procedura ndaj tyre do të zhvillohet në mungesë, pasi të gjithë gjenden jashtë juridiksionit të Kosovës dhe janë në arrati. Aktakuza i ndan ata në dy grupe: ata që vepruan drejtpërdrejt në planifikimin dhe zbatimin e sulmit, dhe ata që, duke pasur autoritet komandues, dështuan të parandalojnë, pengojnë ose ndëshkojnë krimet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përgjegjësia e shtetit serb – planifikimi nga majat e pushtetit

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës së konfliktit të armatosur në Kosovë në vitin 1998, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, përmes Shtabit Ndërsektorial, kishte hartuar planin për sulmin ndaj lagjes Jasharaj. Ky shtab përbëhej nga përfaqësues të Departamentit të Sigurisë Publike dhe Departamentit të Sigurisë Shtetërore. Ai udhëhiqej nga i pandehuri Jovica Stanišić, në cilësinë e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme dhe shefit të Departamentit të Sigurisë Shtetërore. Zëvendësi i tij ishte i pandehuri Vlastimir Đorđević, shef i Departamentit të Sigurisë Publike.

Për realizimin e këtij plani, Shtabi Ndërsektorial kishte bashkërenduar veprimet me Shtabin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për Kosovën, me seli në Prishtinë, i themeluar që në vitin 1997. Gjatë operacionit në Prekaz të Poshtëm, ky shtab udhëhiqej nga i pandehuri Sreten Lukić, i cili ishte përgjegjës për koordinimin operacional të Njësisë për Operacione Speciale, Njësive Speciale Antiterroriste dhe Njësisë së Posaçme të Policisë. Ai miratonte llojin e armatimit dhe mjeteve luftarake, jepte urdhra, pranonte dhe jepte raporte, si dhe mbikëqyrte realizimin e operacionit. Shtabi për Kosovën i raportonte vazhdimisht Shtabit Ndërsektorial për ecurinë e sulmit.

Aktakuza thekson se ky nuk ishte një operacion lokal. Ai ishte rezultat i një zinxhiri komandimi që niste nga majat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe zbret deri te njësitë në terren. Të pandehurit, duke shfrytëzuar autoritetin dhe kompetencat e pozitave të tyre, edhe pse ishin të vetëdijshëm për praninë e një numri të madh të popullsisë civile dhe për pasojat e rënda që mund t’i shkaktoheshin asaj, me dashje planifikuan, organizuan, koordinuan, urdhëruan dhe drejtuan sulmin me artileri të rëndë, tanke dhe mjete të tjera luftarake kundër zonës ku ndodheshin civilët.

Vëzhgimi shtetëror dhe përgatitja e operacionit

Nga fillimi i muajit janar 1998 e deri në përfundim të sulmit pas datës 7 mars 1998, lagjja Jasharaj ishte nën vëzhgim dhe kontroll të vazhdueshëm nga Njësia për Operacione Speciale, e udhëhequr nga komandanti i saj, i pandehuri Milorad Ulemek (i njohur me nofkën “Legia”). Ai ishte personalisht i pranishëm në Fabrikën e Municionit në Skenderaj dhe drejtonte veprimet e njësisë së tij. Në vëzhgim dhe përgatitje kishte marrë pjesë edhe Njësia e Posaçme e Policisë, përkatësisht Kompania e Mitrovicës, e udhëhequr nga i pandehuri Čedomir Božović.

Këto njësi ishin të vendosura brenda kompleksit të Fabrikës së Municionit në Skenderaj, në një objekt të njohur si “Villa”, nga ku ushtronin vëzhgimin e vazhdueshëm të lagjes Jasharaj si fizikisht ashtu edhe përmes kamerave të vendosura në një rezervuar uji të fabrikës, në një lartësi rreth 50 metra. Kamerat regjistronin lagjen 24 orë në ditë, 7 ditë të javës, duke mundësuar kontrollimin dhe monitorimin e çdo lëvizjeje të banorëve. Ky sistem vëzhgimi, sipas aktakuzës, tregon se operacioni ishte përgatitur me kujdes dhe me burime shtetërore.

Më 3 mars 1998, në kompleksin e Fabrikës së Municionit kishte filluar përforcimi i kapaciteteve njerëzore dhe materiale. Ishte shtuar numri i pjesëtarëve të njësive dhe ishin dislokuar mjete e armatim i rëndë luftarak: automjete të blinduara të pajisura me mitraloz të tipit “Browning”, “HBG” dhe “DSHK”, tanke ushtarake, minahedhës, armë kundërajrore dhe mjete të tjera luftarake. Ky proces vazhdoi edhe gjatë mbrëmjes së datës 4 mars 1998, kur u sollën mjete shtesë, përfshirë autoblinda, praga, mjete luftarake tre-tytëshe dhe dy-tytëshe të kalibrit 20 mm, automjete me mitraloz 12.6 mm, minahedhës të kalibrave 60 deri në 106 mm, armë kundërajrore dhe dy tanke të transportuar nga Mitrovica. Pjesë e këtij armatimi ishte edhe makineria ushtarake e Ushtrisë së RFJ-së, e cila, sipas aktakuzës, u përdor në bashkëveprim me forcat policore.

Shtabi Operativ dhe ndarja e roleve nga komanda

Më 4 mars 1998, në objektin “Villa” ishte formuar Shtabi Operativ për realizimin e sulmit. Ai udhëhiqej dhe koordinohej nga i pandehuri Goran Radosavljević (i njohur me nofkën “Guri”). Pjesë e tij ishin të pandehurit Živko Trajković (komandant i të gjitha Njësive Speciale Antiterroriste), Zoran Simović (komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste në Beograd), Branko Čurčić (komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste në Novi Sad) dhe Radislav Stalević (komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste në Prishtinë).

Në këtë shtab u ndanë detyrat konkrete. Me kërkesë të të pandehurit Milorad Ulemek, sulmi ndaj shtëpive të familjes së Shaban Jasharit iu caktua Njësisë për Operacione Speciale nën komandën e tij. Pozicioni “Bunkeri” iu caktua Njësisë Speciale Antiterroriste nga Novi Sadi, nën komandën e Branko Čurčićit (i cili qëndroi në shtab duke dhënë urdhra), ndërsa në terren njësinë e drejtonte Želimir Mrdalj. Pjesën tjetër të lagjes, duke filluar nga rruga e lagjes Jasharaj nga drejtimi i Skenderajt, ishte caktuar ta sulmonin Njësia Speciale Antiterroriste nga Beogradi (nën komandën e Zoran Simovićit, me Spasoje Vulević në terren) dhe Njësia Speciale Antiterroriste nga Prishtina (nën komandën e Radislav Stalevićit, me Vlado Todorović në terren).

Njësia e Posaçme e Policisë, e përbërë nga detashmente dhe kompani të komanduara nga Branko Prljević, Radoslav Mitrović, Milivoje Stojilković, Nenad Stojković, Srđan Ilić, Božidar Filić, Žarko Braković, Čedomir Božović, Žarko Rokvić, Dušan Ivanović, Staleta Mojsilović, Vučina Janičijević, Milan Lečić, Radomir Čolić, Nenad Milačić, Srđan Perović dhe Veljko Radenović, formoi “rrethimin e hekurt” për të pamundësuar hyrje-daljet nga fshati dhe për të sulmuar nga pozicionet e tyre. Ky rrethim, sipas aktakuzës, ishte pjesë e planit shtetëror për të izoluar plotësisht zonën dhe për të siguruar që asnjë civil të mos mund të dilte.

Përgjegjësia e Ushtrisë së RFJ-së dhe e komandës ushtarake

Aktakuza thekson se operacioni nuk u krye vetëm nga forcat policore. Ai u realizua me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, përmes përdorimit të artilerisë dhe makinerisë ushtarake, përfshirë tanket. I pandehuri Dragan Živanović, komandant i Brigadës 125 të Motorizuar të Këmbësorisë së Ushtrisë së RFJ-së, kishte autoritet dhe kontroll efektiv mbi forcat dhe makinerinë ushtarake që vepronin në rajonin e Mitrovicës dhe Pejës. Sipas aktakuzës, tanket nën komandën ose kontrollin e tij u përdorën në bashkëveprim me Njësinë për Operacione Speciale, Njësitë Speciale Antiterroriste dhe Njësinë e Posaçme të Policisë. Ai kishte dijeni ose arsye të mjaftueshme për të ditur se po kryhej një operacion i gjerë dhe i koordinuar, gjatë të cilit u vranë civilë shqiptarë dhe u shkatërrua prona civile, por nuk ndërmori asnjë masë për të parandaluar, penguar ose ndëshkuar këto veprime.

Rrjedha e sulmit – vrasjet e civilëve

Më 5 mars 1998, rreth orës 06:00, pa asnjë paralajmërim, njësitë përkatëse të policisë filluan sulmin e armatosur, fillimisht nga drejtimi i Fabrikës së Municionit dhe pastaj edhe nga pozicionet e tjera. Sulmi u krye me armatim të kalibrit të rëndë, të drejtuar ndaj objekteve civile. Vetëm pas fillimit të sulmit, një numër i kufizuar pjesëtarësh të UÇK-së, të armatosur me armë të lehta, bënë rezistencë. Pavarësisht kësaj, forcat serbe vazhduan sulmin në zonën ku ndodheshin civilë, pa bërë dallim ndërmjet objektivave ushtarake dhe civile.

Po atë ditë u intensifikua granatimi ndaj shtëpisë së Halit Jasharit. U vranë: Blerim Jashari (5 vjeç), Bujar Jashari (10 vjeç), Avdullah Jashari (15 vjeç), Hanife Jashari (17 vjeçe), Bahtije Jashari, Sabrije Jashari, Elheme Jashari dhe Mihrije Jashari, të cilët ishin të strehuar në kuzhinë.

U godit edhe shtëpia e Hamit Jasharit, ku u vranë Smajl Bazaj dhe Fatime Bazaj. Rreth datave 5-6 mars u vra edhe e moshuara Hamide Jashari.

Më 6 mars u granatuan shtëpitë e Sadik dhe Qerim Jasharit. Shtëpitë u përfshinë nga flakët dhe u rrënuan. Në shtëpinë e Sadik Jasharit u vranë Afie Jashari, Elfie Jashari dhe Fatime Jashari (trupat e të cilave mbeten të zhdukura). Në shtëpinë e Qerim Jasharit u vra Hajrije Jashari.

Më 7 mars, forcat serbe intensifikuan sulmet ndaj shtëpive të Shaban Jasharit me tanke. Goditja e parë vrau Igballe Jashari (12 vjeçe), Valdete Jashari (14 vjeçe), Igball Jashari (14 vjeç), Lirije Jashari (14 vjeçe), Afete Jashari (17 vjeçe) dhe Selvete Jashari. U plagosën rëndë Blerina, Fatime, Kushtrim, Blerim dhe Hidajete Jashari. Goditja e dytë vrau Fatime Jashari (8 vjeçe) dhe Blerim Jashari (12 vjeç). Më pas, dy pjesëtarë të forcave speciale hodhën granata dore dhe hapën zjarr me armë automatike, duke vrarë Blerina Jashari (7 vjeçe), Kushtrim Jashari (13 vjeç) dhe Hidajete Jashari. Besarta Jashari, e vetmja e mbijetuar, u kap, u torturua psikikisht dhe u mbajt e mbyllur në Fabrikën e Municionit deri në mbrëmje.

Marrja peng, tortura dhe shkatërrimi i lagjes

Më 5 mars u kapën Milazim Jashari dhe Muhamet Jashari, të cilët u mbajtën tri ditë në stacionin policor të Skenderajt dhe u torturuan. Më 7 mars, rreth orës 10:00, u kapën 16 persona nga shtëpia e Sefer Jasharit, përfshirë foshnjën dy-muajshe Miftar Jashari dhe fëmijë të tjerë. Ata u dërguan në oborrin e Fabrikës së Municionit, ku u privuan nga ushqimi dhe uji, u ekspozuan ndaj të ftohtit dhe u kërcënuan me vrasje. Po atë ditë u kapën edhe Arif Jashari (10 vjeç), Naser Jashari, Bekim (B) Jashari dhe Maliq Jashari, të cilët u rrahën dhe u keqtrajtuan në Fabrikën e Municionit, pastaj në stacionet policore të Skenderajt dhe Mitrovicës.

Gjatë tri ditëve të sulmit, forcat serbe shkatërruan dhe dëmtuan në masë të gjerë shtëpitë dhe infrastrukturën civile të lagjes Jasharaj. Objektet e shkatërruara ishin objekte civile që nuk përbënin objektiva ushtarake.

Përgjegjësia e komandantëve që dështuan të veprojnë

Përveç atyre që drejtuan sulmin, aktakuza akuzon edhe gjashtë komandantë për dështim në detyrimet e tyre:

– Obrad Stevanović, komandant i përgjithshëm i Njësisë së Posaçme të Policisë, kishte kontroll efektiv mbi forcat e tij, por nuk ndërmori masa.

– Ljubinko Cvetić, kryeshef i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Mitrovicë, kishte dijeni për operacionin dhe për maltretimin e civilëve në stacionin e Mitrovicës, por nuk veproi.

– Branko Đurić, kryeshef i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Beograd, ishte epror i Sreten Lukićit dhe kishte dijeni për rolin e tij, por nuk ndërmori masa.

– Ilija Trajković dhe Milenko Božović, komandant dhe zëvendës-komandant i Departamentit të Punëve të Brendshme në Skenderaj, kishin dijeni për operacionin dhe për maltretimin e civilëve në stacionin e Skenderajt, por nuk vepruan.

Aktakuza përfundon se të pandehurit e grupit të parë, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” nga Neni 142 lidhur me Nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së. Të pandehurit e grupit të dytë akuzohen secili veç e veç për të njëjtën vepër, për shkak të dështimit në detyrimet komanduese. Veprimet e tyre përbëjnë shkelje të rënda të Nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës dhe të parimit të dallimit, pasi viktimat ishin persona civilë që gëzonin mbrojtje të plotë sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Sipas aktakuzës, Masakra e Jasharajve ishte rezultat i një organizimi të plotë shtetëror serb, i drejtuar nga majat e pushtetit, i zbatuar nga njësitë speciale policore dhe i mbështetur nga Ushtria e RFJ-së, me qëllim të qëllimshëm për të vrarë civilë, për të torturuar të mbijetuarit dhe për të shkatërruar lagjen.

Aktakuza u bë publike të premten në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ku ishte i pranishëm edhe kryeprokurori Blerim Isufaj. Prokurori Valdet Gashi ka përfaqësuar aktakuzën e ngritur në mungesë ndaj 35 ish-zyrtarëve dhe komandantëve të lartë serbë, të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë sulmit të marsit 1998 në lagjen Jasharaj të Prekazit të Poshtëm.

Aktakuza lidhet me sulmin e forcave serbe ndaj lagjes Jashari në Prekaz, i cili zgjati tri ditë. Prokuroria ka thënë se në kuadër të këtij operacioni u vranë civilë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale përshkruan veprimet e 35 të pandehurve në dy nivele: ata që morën pjesë aktive në planifikimin, organizimin, koordinimin dhe zbatimin e sulmit (grupi I) dhe ata që dështuan në detyrimet e tyre komanduese (grupi II).

Dëshmitarët përshkruajnë se gjatë sulmit të 5, 6 dhe 7 marsit 1998, forcat serbe rrethuan lagjen Jashari, vranë civilë, përfshirë gra e fëmijë, dhe morën peng e keqtrajtuan të mbijetuarit.

Aktakuzë në mungesë ndaj 35 personave për krime lufte në Prekaz për vrasjen e 58 anëtarëve të familjes Jashari është publikuar sot në PSRK.

Hetimet për këtë rast kanë zgjatur për vite. Në qershor të këtij viti, Prokuroria Speciale kishte njoftuar se rasti po trajtohej me prioritet dhe se ishte drejt finalizimit të aktakuzës./BetimipërDrejtësi