Qytetarë të Poliçanit kanë protestuar këtë të enjte kundër kundër projektit për shkrirjen e bashkisë së tyre në kuadër të Reformës Territoriale 2.0. Banorët këmbëngulin se Poliçani duhet të vijojë të funksionojë si bashki më vete dhe kundërshtojnë përfshirjen e tij në Bashkinë e Beratit.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Socialiste në Poliçan, Erjon Zylyftari, deklaroi para qytetarëve se vendimi për prekjen e bashkisë përbën “një padrejtësi dhe një turp të madh” dhe dha dorëheqje publike nga ky funksion.
Në shenjë proteste dhe pakënaqësie, disa qytetarë dogjën në shesh teserat e anëtarësisë së Partisë Socialiste, ndërsa në pankarta shkruheshin fjalët: “Fëmijët na i larguat, tani doni të na fshini nga harta”.
Kundër këtij propozimi ka shprehur rezerva edhe kryebashkiaku i Poliçanit, i cili është shprehur se shkrirja e bashkive të vogla do të sjellë shpopullimin e qyteteve.
Në përfundim të tubimit, banorët firmosën një peticion, përmes të cilit kërkojnë që Bashkia e Poliçanit të mos përfshihet në ndryshimet e propozuara nga Reforma Territoriale.
Sipas draftit për Reformën Territoriale 2.0, të dorëzuar në Kuvend nga Partia Socialiste, Bashkia e Poliçanit parashikohet të shkrihet dhe t’i bashkohet Bashkisë së Beratit. Ky ndryshim është pjesë e planit për uljen e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46.

















