Lajmet e fundit
Plani për sulmin ndaj familjes Jashari në Prekaz ishte hartuar në janar të vitit 1998, ndërsa zbatimi i tij u bë dy muaj më vonë, në mars.
Për realizimin e këtij aksioni, sipas aktakuzës së Prokurorisë, ishin angazhuar mbi 2 mijë persona.
Në fabrikën e Municionit në Skenderaj, forcat serbe ishin armatosur rëndë për operacionin që përfundoi me masakrën ndaj familjes Jashari.
Sipas Prokurorisë, aksionit i kishte prirë Jovica Stanishiq, i cili në atë kohë mbante pozitën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë.
Në Skenderaj ishte vendosur edhe njësia për Operacione Speciale, e komanduar nga Milorad Ulemek, i njohur me nofkën “Legia”.
Sipas dëshmisë së përfshirë në aktakuzë, Ulemek kishte kërkuar me ngulm që sulmin ndaj shtëpisë së Adem Jasharit. Megjithatë, ai ishte nervozuar kur kishte parë rezistencën e fuqishme të Jasharëve nga kullat e tyre.
Kërkesa për përdorimin e bombave të fosforit ishte refuzuar, çka kishte shkaktuar përplasje mes pjesëtarëve të forcave serbe. Në një moment, përmes radiolidhjes, dëshmitari kishte dëgjuar Ulemekun duke kërcënuar se do të largohej nga vija e frontit.
Për aksionin e marsit të vitit 1998, pjesëtarët e forcave serbe ishin shpërblyer nga Sllobodan Millosheviqi, përfshirë edhe ngritjen e tyre në grada.
Në aktakuzë përshkruhet edhe se forcat speciale serbe kishin marrë peng anëtarët e familjes që ndodheshin në shtëpinë e Sefer Jasharit, nga foshnja dy muajshe deri te 17-vjeçarët.
Më pas, në njërën prej kullave, forcat serbe kishin nisur vrasjen dhe masakrimin e shqiptarëve, shumica prej të cilëve ishin të mitur.
Para sulmit, shtëpia e Adem Jasharit ishte monitoruar për muaj të tërë, 24 orë në ditë, përmes kamerave. Sipas aktakuzës, Adem Jashari konsiderohej nga forcat serbe si njëri prej personave më të rrezikshëm.
Aktakuza që përfundimisht u bë pas 28 vjetëve ndaj 35 të akuzuarve është dorëzuar të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pritet të zhvillohet gjykimi në mungesë.
Të gjithë të akuzuarit, sipas Prokurorisë, aktualisht jetojnë në Serbi.