
“Jeta është si një melodi e bukur, vetëm teksti është i ngatërruar”.
Hans Kristian Andersen ishte një ëndërrimtar, që migroi midis botëve të fantazisë dhe realitetit, duke u bërë një nga autorët e përrallave më të njohur në botë. Ai vdiq në Kopenhagen më 4 gusht 1875, por historitë e tij vazhdojnë të jetojnë – në dhomat e fëmijëve, në skenat e teatrit dhe ekranet e filmave. Sagat e tij shpesh paraqesin personazhe që janë refuzuar nga shoqëria, ato janë rrëfime për dobësinë njerëzore, për ankthin dhe mallin, por edhe për bukurinë. Tregimet për fëmijë janë trashëgimia e tij më e madhe. Ai ishte një personazh plot ngjyra, shumë i ndjeshëm dhe në të njëjtën kohë plot me të veçanta. Po ashtu, vuante nga paranoja, luhatjet e humorit dhe hipokondria. Kishte frikë nga qentë dhe grabitjet. Kur merrte një vlerësim të keq, vërtitej si i tërbuar mbi dysheme. Kur udhëtonte, me vete mbante pëherë një litar, në mënyrë që në rast urgjence të mund të dilte nga hotelet që merrnin zjarr. Po ashtu, kishte fobi se mos varrosej i gjallë, e njohur edhe si tafefobi. Nga frika se mos e merrnin për të vdekur kur flinte, ai linte mbi komoinë shënime: “Unë dukem vetëm sikur jam i vdekur”. Andersen nuk shkroi për të argëtuar fëmijët me histori për princesha të bukura dhe kalorës fisnikë. Historitë e tij për kafshët dhe krijesat magjike përmbajnë rrëfime komplekse me shtresa të shumëfishta temash dhe emocionesh, të tilla si malli, humbja, vdekja dhe identiteti. Këto përralla shpesh përmbajnë një mesazh moral. Përveç ndëshkimit të së keqes, mirësia, dashamirësia dhe dhembshuria shpërblehen gjithashtu. Autori u përpoq t’i përforconte pozitivisht këto vlera dhe etikë në të gjitha tregimet e tij. Veprat e Andersenit janë përkthyer në më shumë se 150 gjuhë, për më tepër motive nga historitë e tij mund të gjenden ende në teatër, muzikë, balet, komikë dhe filma. Përrallat si “Rosaku i shëmtuar”, “Sirena e vogël” etj. janë përjetësuar, personazhet janë shndërruar në ikona globale – nga statuja e sirenës në Kopenhagen te monumenti në Parkun Qendror të Nju-Jorkut. Aktualisht, edhe 150-vjet pas vdekjes së Andersenit, historitë e tij vazhdojnë të jetojnë, sepse janë më shumë sesa thjesht përralla: ato mbajnë një pasqyrë të gabueshmërisë njerëzore – dhe transformimit.

“Ajo nuk kishte kërcyer kurrë kaq bukur; tehet e thikave ia prenë këmbët, por ajo nuk e ndjeu, sepse dhimbja që ndiente në zemër ishte shumë më e madhe”.