Jetojmë në një periudhë kur arti, në format e tij më të larta, duket se po humbet zërin. Ndërsa muzika klasike dhe kryeveprat e artit kanë qenë për shekuj streha e atyre që kërkojnë thellësi, reflektim dhe bukuri, sot gjithë kjo duket se zhduket pas zhurmës së një kulture gjithnjë e më të fiksuar pas pamjes, modës dhe thashethemeve. Prandaj pyesim veten pse një formë arti kaq fisnike dhe e përjetshme po i lë vendin asaj që është kalimtare dhe sipërfaqësore? Në veçanti, muzika klasike përfaqëson një gjuhë universale që i flet drejtpërdrejt shpirtit. Harmonitë komplekse, nuancat emocionale dhe aftësia e saj për të ngjallur emocione të thella, janë një pasuri, që, megjithatë, gjithnjë e më shumë njerëz e anashkalojnë. Nuk kemi të bëjmë thjesht me një çështje për shije muzikore, por një simptomë e një shoqërie që duket se po nxiton drejt komsumimit dhe harresës.

Aty ku dikur, nga njëra notë tek tjetra heshtja ftonte në reflektim, sot çdo hapësirë mbushet nga zhurma e cektësisë. Por nuk është vetëm muzika klasike ajo që e vuan këtë pavëmendje. Arti në përgjithësi, i kuptuar si shprehje e thellë krijuese, po përpiqet të dëgjohet në një botë ku imediatja ka pushtuar soditjen. Veprat e artit që kërkojnë kohë, vëmendje dhe introspeksion, shpesh shpërfillen në favor të përmbajtjes që ofron kënaqësi të menjëhershme, por që lë pak ose aspak në shpirtin e atyre që e konsumojnë. Një situatë e tillë shtron pyetjen thelbësore: Çfarë po humbasim në këtë garë drejt sipërfaqësisë? Kur arti shndërrohet në një aksesor të thjeshtë, kur muzika është vetëm një sfond për të shpërqendruar veten, ne privohemi nga një përvojë që është shumë më tepër se një kënaqësi estetike. Arti është një formë dialogu me veten dhe botën, një ftesë për të eksploruar se çfarë do të thotë të jesh njeri. Prandaj, problemi nuk qëndron vetëm në mungesën e interesit, por në vetë kulturën që na rrethon. Ne jetojmë në një shoqëri që vlerëson shpejtësinë dhe sasinë, sesa cilësinë dhe thellësinë. Konsumizmi kulturor, i nxitur nga mediat sociale dhe një treg argëtues gjithnjë në rinovim, i shtyn shumë njerëz ta konsiderojnë artin si një produkt mes shumë të tjerëve, e jo si një burim shpirtëror dhe intelektual. Është urgjente të rifitosh vetëdijen për vlerën e artit dhe kulturës, të rizbulosh kënaqësinë e përkushtimit ndaj dëgjimit të një simfonie, leximit të një romani madhështor ose soditjes së një pikture. Bukuria e vërtetë kërkon kohë, kërkon përkushtim dhe një shpirt të hapur, cilësi që duken se janë gjithnjë e më të rralla në një botë të dominuar nga sipërfaqësia. Nuk është kurrë vonë për të ndryshuar këtë prirje. Ne duhet të promovojmë një qasje të re ndaj kulturës, një qasje që privilegjon thellësinë dhe reflektimin, që e njeh artin jo si një luks elitar, por si një domosdoshmëri njerëzore. Vetëm në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të rizbulojmë atë që me të vërtetë e pasuron jetën tonë dhe na bën më të vetëdijshëm për vetë ekzistencën tonë.