
ANKTH
Asgjë prej teje s’më magjeps, natyrë,
As fushat, as siçilianet jehona pastorale,
As ojnat e agimit përmbi male,
As madhështia e muzgjeve të mpirë.
Qesh me artin, me Njeriun, varg i lirë,
Me tempujt grekë dhe kullat plot spirale,
Që në qiell avitin katedralet
Dhe s’di kush është i lig e kush i mirë.
Nuk besoj në Perëndi dhe kam tejflakur
Çdo mendim, kurse shakaja e mplakur,
Dashuria, më mirë për të mos dija.
Nga jeta braktisur, s’guxoj të shkoj përfare,
Në baticë e zbaticë si ajo anija
Shpirti im pret mbytjen mes llahtari.
Pavarësisht polimorfizmit dhe transformimet, pavarësisht nga të gjitha ndikimet që pësoi, Verleni ka mbetur krejt origjinal para së gjithash nga individualiteti i frymëzimit të tij. Nuk shkroi asgjë që kishte të bënte me veçantitë e jetës personale. Mirëpo, ky trashëgimtar i romantikëve ndryshon nga paraardhësit e tij nga “edukimi” parnasian. Armik i ekzagjerimit dhe elokuencës, ai është partizan i shprehjes së pasionit dhe dhimbjes me një naivitet të dlirë që të habit dhe të tërheq. Pol Verleni është një nga poetët më të mëdhenj të shekullit XIX, pasardhës i drejtpërdrejtë i artit të Bodëlerit, ndër të parët përfaqësues të poezisë moderne, që zuri fill në Francë me të ashtuquajturën rrymë simboliste. Tipari ndoshta më spikatës i poezisë së Verlenit është muzikaliteti. Asnjë poet para tij nuk kishte ngulmuar ta shndërronte vargun në një harmoni të përkryer tingullore. Verlen nuk është fanatik i “poezisë së kulluar”. Këtë lloj poezie ai, sikurse ka ndodhur edhe me gjithë simbolistët, vetëm sa e çik ngandonjëherë. Janë të shumë ata që e vlerësojnë si poet naiv, për të kundërtën flet Valeri: “Poezia e tij është shumë larg të qenit naive, sepse nuk ka mundësi që një poet i vërtetë të jetë naiv”. Vepra e Verlenit, e dashur për shumë poetë të mëdhenj, hyn tek ato vepra që koha nuk i bjerr dot lehtë.