Mishërim i romantizmit francez, marrëdhënia e zjarrtë e Zhorzh Sendit dhe Alfred dë Mysesë është regjistruar kryesisht në korrespondencën e tyre, konceptuar më shumë si një monument letrar, sesa një mjet për t’i demonstruar njëri-tjetrit forcën e ndjenjave reciproke.  Marrëdhënia e stuhishme me Zhorzh Sendin, një tjetër emër i madh i letërsisë franceze, nuk mund të mos shndërrohej në legjendë. Në një mit për t’u formësuar, për t’u matur në madhësi, duke e përshtatur atë me një publik të etur për ndjesi dhe detaje gjithnjë e më ngacmuese dhe të nxehta. Edhe pse një marrëdhënie jetëshkurtër dhe intensive, siç janë përherë shpërthimet, e tyrja nuk ishte vetëm një pasion fizik dhe sentimental, por edhe një lidhje intelektuale. Ata e donin me pasion njëri-tjetrin dhe rrezikuan të mbyten në atë dashuri. “Besoj se nuk ka rrugë të mesme në mënyrën se si ju dashuroni”.

Një dashuri, e tyrja, e lindur në Paris, por e dënuar të merrte goditjen përfundimtare kilometra larg, në një Venecie të zymtë dhe dyshuese, ku shkrimtarja, jo më pak vullkanike se i dashuri i saj, do të binte në krahët e një mjeku magjepsës italian, të thirrur për të trajtuar urgjentisht shkrimtaren, e cila prej disa ditësh vuante nga ethet. Myse dhe Send e kuptuan njëri-tjetrin, ndanin një gjenialitet për fjalët, një shtysë poetike, por edhe një xhelozi të fuqishme që i çonte në debate të dhunshme dhe tradhti të shpeshta. Një histori komplekse, me dritëhije të forta, e cila vijon të jetojë me gjithë madhështinë e saj në faqet e “Rrëfim i fëmijës së shekullit”, kryeveprës së padiskutueshme të Alfred dë Musesë. Një vepër, që nuk është vetëm historia e një dashurie të vrullshme dhe të trazuar, por edhe afresku, klithma e mprehtë e një brezi të tërë të zhytur në mënyrë të dhimbshme mbi hiçin. Midis ndarjeve të stuhishme dhe tërheqjeve fatale, kjo marrëdhënie ushqeu dhe frymëzoi shkrimet e tyre përkatëse