Protesta kundër reformës së re administrative-territoriale vijon në Poliçan, ndërsa banorët dhe përfaqësuesit vendorë kundërshtojnë planin që parashikon shkrirjen e Bashkisë Poliçan dhe bashkimin e saj me Beratin.
Këshilli Bashkiak i Poliçanit ka marrë unanimisht vendimin për të paralajmëruar dorëheqjen në rast se reforma miratohet dhe bashkia i bashkohet Beratit. Sipas vendimit, dorëheqja do të shoqërohet edhe me tërheqjen e kandidatëve pasardhës në listat përkatëse.
Përfaqësuesit e Këshillit Bashkiak u kanë bërë thirrje edhe 14 bashkive të tjera që rrezikojnë të preken nga reforma, që t’i bashkohen protestës. Tubimi pritet të zhvendoset në Tiranë, përpara Kuvendit.
“Jemi kundër një reforme që kërkohet të bëhet me nxitim, brenda pak muajsh, ndërkohë që pasojat e saj mund të zgjasin me dekada. Kjo reformë rrezikon të ulë zërin, vëmendjen dhe mundësinë që ky komunitet të kërkojë atë që i takon”, u shpreh një prej anëtarëve të Këshillit Bashkiak.
Sipas përfaqësuesve vendorë, shkrirja e bashkisë do të sillte pasoja të drejtpërdrejta për komunitetin, duke rrezikuar vendet e punës për profesionistë dhe punonjës të administratës, shërbimeve dhe sektorëve të tjerë.
Ata argumentojnë gjithashtu se bashkimi me një tjetër njësi vendore do të zhvlerësonte pronat dhe do të ndikonte negativisht në zhvillimin e ardhshëm të qytetit.
Protestuesit kanë shprehur pakënaqësi edhe për mungesën e deputetëve në takimin e parashikuar me banorët e Poliçanit. Sipas tyre, deputetët nuk u paraqitën në qytet për të dëgjuar shqetësimet e komunitetit, ndërsa zhvilluan takime në tre bashki të tjera të qarkut.
“Besa është vota jonë, zoti kryeministër. Ne ua dhamë besën juve, por ju nuk e mbajtët besën ndaj nesh. Ju bëjmë ftesë të vini dhe të uleni me popullin e Poliçanit, të dëgjoni zërin e qytetarëve. Ashtu siç keni thënë, zoti kryeministër, ku jeni sot?”, u shpreh një prej protestuesve.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/