Mbarë bota përkujton sot 10 vjetorin e shenjtërimit të humanistes së shquar, Nënë Tereza. “Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi jam indiane. Me besim unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”. Këto janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, gruaja e jashtëzakonshme dhe shenjtorja e të varfërve të të gjithë botës e cila kurrë nuk e harroi origjinën e saj.
10 vite më parë, më 5 shtator 2016, nëna e madhe e të varfërve, fituese e çmimit Nobel për Paqen, u shpall shenjtore. Papa Françesku njohu dy mrekullitë e saj të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj më 1997. Murgesha u lumturua në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II. Ai miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj. Një grua 30-vjeçare në Kalkuta tha se ajo u shërua nga një tumor në stomak pas lutjeve drejtuar Nënë Terezës. Një komitet i Vatikanit tha se nuk mund të gjente asnjë shpjegim shkencor për shërimin e saj dhe e shpalli atë një mrekulli.
Ndërsa në Tiranë, në këtë përvjetor, u ekspozuan dorëshkrime në gjuhën shqipe të nobelistes, që tregojnë një raport të ngushtë emocional të Shenjtores për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Aktiviteti u organizua në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, ku të pranishme ishin misionare të Urdhrit Nënë Tereza, që shtrin veprimtarinë e tij në rreth 100 vende.
Edhe personalitete të politikës dhe jetës akademike kujtuan sot Shën Terezën përmes shprehjeve të saj dhe mrekullive që iu njohën Shenjtores që u përkul mbi të varfrit, mbi të sëmurët dhe mbi çdo njeri që kishte nevojë për mbështetje dhe dashuri.

Kush është Nënë Tereza?
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë në Shkup dhe humbi jetën në Kalkutë më 5 shtator 1997. Sot bëhen 29 vite që Nënë Tereza është ndarë nga jeta. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionarët e Bamirësisë.
Nga ky moment Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia dedikonte tërësisht të varfërve. Ajo vazhdoi me vetmohim të predikonte mesazhin e saj të dinjitetit njerëzor dhe respektit për çdo qenie njerëzore të lindur apo jo.
Kur mori çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 ajo bëri këtë apel: “Shkatërrimtari më i madh i paqes së sotme është thirrja e një fëmije të pafajshëm ende të palindur. Nëse një nënë vret fëmijën që mban në barkun e saj, atëherë çfarë mbetet për ty dhe mua?
Nënë Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë, ku ushtroi pjesën më të madhe të aktivitetit të saj bamirës, por figura e saj vazhdon të jetë burim frymëzimi për bamirësi, besim dhe shërbim të përulur, veçanërisht në një botë gjithnjë e më të përçarë nga varfëria dhe padrejtësitë sociale. Gjatë jetës së saj, Nënë Tereza ka marrë më shumë se 700 çmime për punën e saj bamirëse.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/