Gjykimi ndaj Lindsay Clancy, 36-vjeçares amerikane të akuzuar për vrasjen e tre fëmijëve të saj, ka përfunduar të premten pa një vendim, pasi juria nuk arriti të binte dakord për një verdikt pas rreth 38 orësh diskutime.
Gjyqtari shpalli “mistrial”, pasi juria i dërgoi gjykatës një shënim ku shprehej se, “me zemër të rënduar”, nuk kishte mundur të arrinte një vendim.
Vendimi erdhi pasi mbrojtja e Clancy-t dështoi të siguronte një shtyrje në minutën e fundit nga një gjykatë më e lartë.
Clancy akuzohet se më 24 janar 2023 vrau tre fëmijët e saj në shtëpinë e familjes në Duxbury, Massachusetts. Viktimat ishin Cora, 5 vjeç, Dawson, 3 vjeç dhe Callan, vetëm 8 muajsh.
Sipas akuzës, Clancy i mbyti fëmijët me shirita elastikë ushtrimesh ndërsa bashkëshorti i saj ndodhej jashtë shtëpisë. Pas ngjarjes, ajo u përpoq t’i jepte fund jetës duke u hedhur nga dritarja e katit të dytë.
Për pasojë, ajo mbeti e paralizuar nga mesi e poshtë. Gjatë procesit gjyqësor, mbrojtja nuk e mohoi se Clancy ishte personi që vrau fëmijët, por argumentoi se në momentin e krimeve ajo ndodhej në një gjendje të rëndë të psikozës pas lindjes.
Avokatët e saj pretenduan se gjendja e saj mendore ishte përkeqësuar ndjeshëm pas lindjes së fëmijës së tretë dhe se ajo kishte përjetuar simptoma të rënda psikiatrike, përfshirë halucinacione dhe bindje të shkëputura nga realiteti.
Prokuroria, nga ana tjetër, pranoi se Clancy kishte probleme të shëndetit mendor, por kundërshtoi pretendimin se ajo ishte në gjendje psikozë në momentin e vrasjeve.
Sipas prokurorëve, veprimet e saj ishin të qëllimshme dhe ajo kishte krijuar rrethanat që do t’i mundësonin të mbetej vetëm me fëmijët.
Pas rreth 38 orësh diskutime, juria nuk arriti një marrëveshje. Për këtë arsye, gjyqtari shpalli “mistrial”, që do të thotë se çështja mbetet e pazgjidhur dhe nuk pati një vendim përfundimtar për fajësinë apo pafajësinë e Clancy-t.
Tashmë prokurorët duhet të vendosin nëse do ta çojnë sërish çështjen në gjykim. Clancy pritet të vijojë të qëndrojë në një institucion psikiatrik ndërsa autoritetet përcaktojnë hapat e mëtejshëm ligjorë.
Një seancë e radhës është planifikuar për 29 shtator, ndërsa mundësia e një gjykimi të dytë mbetet e hapur. /SHEKULLI
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/