Detaje të reja kanë dalë nga kontrollet e zhvilluara më 3 shtator në burgun e Durrësit, ku në sektorin B janë zbuluar gjashtë aparate celularë. Katër prej telefonave dyshohet se u përkisnin vëllezërve Artur dhe Klevis Hoxhosmani, Adi Çobës, i njohur me nofkën “Bozholi”, dhe Renardo Nallbanit.
Aparatet dyshohet se ishin fshehur brenda një thesi boksi, i cili ndodhej në ambientet e palestrës së institucionit të vuajtjes së dënimit.
Celularët tashmë i janë dërguar SPAK-ut, ku pritet t’i nënshtrohen këqyrjes në laboratorin e ekspertizës së posaçme. Nga verifikimi i përmbajtjes së tyre pritet të përcaktohet nëse aparatet janë përdorur për komunikime të paligjshme nga brenda burgut.
Ky nuk është rasti i parë që vëllezërit Hoxhosmani dyshohet se kapen me telefona në burg. Gjatë një kontrolli të zhvilluar më 15 maj, njërit prej tyre i ishte gjetur një iPhone.
Artur dhe Klevis Hoxhosmani janë të përfshirë në një dosje të madhe të trafikut ndërkombëtar të drogës. Sipas hetimeve, grupi kriminal ku ata dyshohet se bënin pjesë ka trafikuar mbi 6 tonë drogë, me një vlerë të përllogaritur rreth 411 milionë euro, nga Amerika Latine drejt Europës.
Vëllezërit Hoxhosmani u arrestuan pas një viti hetimesh, ku rol të rëndësishëm patën edhe dëshmitë dhe informacionet e dhëna nga Erion Alibej, i cili ka statusin e të penduarit të drejtësisë.
Nga hetimi rezultoi se grupi ishte aktiv gjatë viteve 2020-2021 në disa shtete europiane, me aktivitet të përqendruar në trafikun e kokainës dhe hashashit nga Kolumbia dhe Ekuadori drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar.


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/