Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka zbardhur arsyetimin e vendimit për lënien në paraburgim, për qëllime ekstradimi, të shtetases turke Julide Yazici. 32-vjeçarja, e njohur për aktivizmin e saj publik kundër presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, ishte arrestuar më 5 gusht në Rinas. Yazici kishte prej disa vitesh statusin e azilantes në Francë.
Ajo rezulton të jetë e kërkuar nga drejtësia turke, pasi është dënuar me 4 vjet e 2 muaj burg nga dy shkallë të gjyqësorit në Turqi, për veprat penale të “dhënies së ndihmës logjistike për organizatë terroriste” dhe “pjesëmarrjes në organizatë terroriste”.
Në thelb të arsyetimit të Gjykatës së Apelit qëndron vlerësimi se ekziston një rrezik real që 32-vjeçarja t’i shmanget procedurës së ekstradimit nëse do të lirohej nga paraburgimi. Sipas gjykatës, Yazici ka pasur dijeni për procedimin penal ndaj saj në Turqi dhe kjo rrethanë është marrë në konsideratë gjatë vlerësimit të masës së sigurimit.
“Nëse gjatë fazës së hetimit apo gjykimit rreziku lidhet me shmangien nga hetimi ose gjykimi, në rastin konkret rreziku aktual lidhet me shmangien nga procedura e ekstradimit dhe nga dorëzimi tek autoritetet e shtetit kërkues për ekzekutimin e dënimit”, arsyeton gjykata.
Apeli ka vlerësuar gjithashtu se masa “arrest në shtëpi”, e kërkuar nga mbrojtja, nuk do të ishte e përshtatshme dhe nuk do të garantonte një mbikëqyrje efektive të 32-vjeçares.
Gjatë seancës në Apel, Julide Yazici ka kundërshtuar ekstradimin drejt Turqisë, duke pretenduar se atje do të përballej me persekutim, diskriminim dhe trajtim të padrejtë për shkak të bindjeve të saj politike dhe pjesëmarrjes në protesta kundër qeverisë.
32-vjeçarja ka pretenduar gjithashtu se nuk kishte pasur dijeni për vendimin e fajësisë të dhënë ndaj saj nga gjykata turke. Çështja tashmë vijon në kuadër të procedurës së ekstradimit, ndërsa vendimi i Apelit përcakton se Yazici do të qëndrojë në paraburgim deri në vijimin e procedurave përkatëse.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/