Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i këngëtarit Jozefin Marku, i dyshuar për dhunimin e 26-vjeçarit Eduart Kuçi.
Sipas të dhënave të bëra publike nga policia, Marku është lokalizuar në banesën e 31-vjeçarit Kristjan Nikolli.
Gjatë ndërhyrjes së efektivëve, këngëtari dyshohet se ishte fshehur në tualetin e banesës, në përpjekje për t’iu shmangur arrestimit.
Në pranga është vënë edhe Kristjan Nikolli, ndërsa në kërkim janë shpallur Anton Huli, 48 vjeç, dhe Kevin Vuthaj, 27 vjeç, të dyshuar për përfshirje në ngjarje.
Hetimet lidhen me një konflikt të bërë publik ditët e fundit pas publikimit në rrjetet sociale të pamjeve ku Eduart Kuçi shihet duke u dhunuar fizikisht.
Sipas hetimeve paraprake, përplasja dyshohet se ka ardhur pas disa deklaratave dhe ofendimeve të bëra nga Kuçi në rrjetet sociale ndaj Markut, të shoqëruara edhe me kërcënime për hakmarrje.
Më pas, dy personazhet janë përballur në zonën e mbikalimit të Rinasit, ku situata ka përshkallëzuar në konflikt fizik.Gjatë kontrollit në banesën ku u gjet Marku, policia ka sekuestruar edhe një sasi municioni.
Gjithashtu është sekuestruar një automjet tip “Land Rover”, i cili dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes dhe se drejtohej nga Kristjan Nikolli.
Pesë akuza ndaj Jozefin Markut
Jozefin Marku përballet me pesë akuza: “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.
Ndërkohë, Kristjan Nikolli akuzohet për “Përkrahjen e autorit të krimit”, si dhe për “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, bombave ose minave dhe të municionit”.
Policia vijon kërkimet për Anton Hulin dhe Kevin Vuthajn, ndërsa hetimet po vijojnë për të dokumentuar të plotë rrethanat e konfliktit dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/