Një fluturim i kompanisë American Airlines është detyruar të devijojë nga itinerari dhe të kryejë një ulje emergjente në Baltimore, pasi një pasagjer 67-vjeçar u soll në mënyrë agresive gjatë udhëtimit.
Ngjarja ndodhi në fluturimin AA 618, i cili ishte nisur nga Dallas me destinacion Newark. Sipas autoriteteve amerikane, pasagjeri, i identifikuar si Arthur Ludin, u bë agresiv ndaj stafit dhe pasagjerëve të tjerë, duke shkaktuar tension dhe panik në kabinë.
Dëshmitarët thanë se 67-vjeçari ofendonte stafin dhe pasagjerët, ndërsa përdorte edhe gjuhë fyese dhe raciste. Situata u përshkallëzua më tej kur ai dyshohet se u bë fizikisht agresiv.
Dy pasagjerë, mes tyre Juan Mejia, një ish-oficer i zbatimit të ligjit, ndërhynë për ta neutralizuar. Ata e lidhën 67-vjeçarin në sediljen e tij me shirit ngjitës, ndërsa duart ia lidhën me zinxhirë, në mënyrë që të mos përbënte më rrezik për personat e tjerë në bord.
Avioni u devijua dhe u ul në Aeroportin Ndërkombëtar Baltimore/Washington rreth orës 22:15. Menjëherë pas uljes, policia hipi në avion dhe arrestoi Ludin.
Pasagjerët që ndërhynë thanë se qëndruan pranë tij deri në momentin kur efektivët e morën në paraburgim.
Pas arrestimit të 67-vjeçarit, avioni vijoi udhëtimin drejt Newark. Ndërkohë, incidenti po hetohet nga autoritetet amerikane, përfshirë Administratën Federale të Aviacionit (FAA) dhe FBI-në.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/