Zjarret që përfshinë gjatë natës zona të Himarës dhe Fierit kanë qenë në qendër të vëmendjes gjatë orëve të fundit, ndërsa strukturat e emergjencave vijojnë punën në terren për monitorimin e situatës dhe evidentimin e pasojave.
Për situatën ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili përmes një reagimi të publikuar këtë të shtunë deklaroi se aktualisht situata është nën kontroll dhe se nuk paraqitet rrezik për banorët apo zonat e banuara.
“Himara dhe Fieri kaloi një natë shumë të vështirë mbrëmë. Aktualisht situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për banorët apo zonat e banuara”, deklaroi Rama.
Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren, ndërsa bashkitë do të angazhohen në evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga zjarret.
Sipas Ramës, do të identifikohen edhe rastet që kanë nevojë për ndihmë urgjente, në mënyrë që të ndërmerren masat përkatëse.
Situata në të dyja qarqet ka qenë e vështirë gjatë natës. Në Himarë, flakët prekën zona të banuara dhe detyruan autoritetet të merrnin masa për evakuimin e disa banorëve dhe turistëve, ndërsa në Fier zjarret prekën disa fshatra dhe shkaktuan dëme në banesa e magazina.
Autoritetet vijojnë monitorimin e vatrave të zjarrit, ndërsa puna tashmë është përqendruar edhe në evidentimin e dëmeve të shkaktuara dhe në ndërhyrjen në zonat ku nevojitet ndihmë.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/