Detaje të reja tronditëse janë zbardhur për ngjarjen e rëndë në Itali, ku 45-vjeçarja Lorena Isceri humbi jetën pasi u hodh nga një mbikalim në autostradën A1.
Sipas hetimeve, pas marrjes së Lorenës dhe gjatë kohës që ajo ndodhej në automjet, ish-partneri i saj Federico Vella i ka dërguar një mesazh nënës së 45-vjeçares.
“Vajza jote ka vdekur”, mësohet t’i ketë shkruar ai nënës së Lorenës, pak para se ngjarja të përfundonte në tragjedi.
Hetuesit dyshojnë se gjithçka ishte planifikuar. Lorena ishte marrë nga ish-partneri i saj në zonën e Firences dhe më pas ishte futur në bagazhin e automjetit.
E mbyllur në makinë, 45-vjeçarja kishte arritur të merrte telefonin dhe të kontaktonte policinë. Telefonata me numrin e emergjencës 112 zgjati rreth 20 minuta, gjatë së cilës ajo dyshohet se kishte treguar se ishte rrëmbyer dhe se ish-partneri i saj e kishte kërcënuar me vdekje.
Policia nisi menjëherë kërkimet për lokalizimin e automjetit, por ndërhyrja nuk mundi të parandalonte tragjedinë.
Automjeti u ndal në zonën e një mbikalimi të autostradës A1, pranë Barberino del Mugello. Sipas rindërtimit të hetuesve, Vella e nxori Lorenën nga makina dhe e hodhi nga viadukti.
Pas kësaj, edhe 36-vjeçari u hodh nga lartësia, duke gjetur vdekjen.
Nëna e Lorenës ka treguar se vajza e saj kishte frikë nga ish-partneri, ndërsa hetuesit po përpiqen të zbardhin nëse krimi ishte planifikuar më herët dhe çfarë kishte ndodhur para momentit kur ajo u mor nga automjeti.
Prokuroria vijon hetimet për të rindërtuar minutë pas minute dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar rrethanat e sakta të vdekjes së 45-vjeçares./SHEKULLI
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/