Situata e zjarreve në Himarë vijon të jetë e vështirë, ndërsa strukturat e emergjencave kanë intensifikuar operacionin për vënien nën kontroll të flakëve dhe mbrojtjen e banorëve.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu bëri me dije përmes një reagimi në rrjetet sociale se në terren janë angazhuar 160 efektivë të Forcave të Armatosura, strukturave të Emergjencave Civile dhe ekipeve të urgjencës mjekësore.
Sipas Koçiut, ekipet po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, ndërsa një rëndësi e veçantë i është kushtuar garantimit të sigurisë së banorëve në zonat e prekura.
Ajo u ka bërë thirrje banorëve që të ndjekin me përpikëri udhëzimet e autoriteteve, veçanërisht në rastet kur kërkohet evakuimi, si dhe të bashkëpunojnë me ekipet e emergjencave që ndodhen në terren.
“Situata në Himarë vijon të jetë e vështirë. Në terren janë angazhuar 160 efektivë të Forcave të Armatosura, strukturave të Emergjencave Civile dhe ekipeve të urgjencës mjekësore, të cilët po punojnë intensivisht për vënien nën kontroll të flakëve dhe garantimin e sigurisë së banorëve”, shkruan Koçiu.
“Në këto momente, asgjë nuk është më e rëndësishme se jeta! Operacioni do të vijojë pa ndërprerje, në koordinim të plotë të të gjitha strukturave të angazhuara”, shton ajo.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa ndërhyrja do të vazhdojë deri në stabilizimin e plotë të vatrave të zjarrit.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/