HIMARË- Zjarri që përfshiu Himarën mbrëmjen e djeshme, dogji 7 banesa, dhe rrezikoi jetën e qindra banorëve, vazhdon të jetë aktiv edhe këtë mëngjes. Situata u vendos disi në kontroll gjatë orëve të para të mëngjesit, ndërsa me zbardhjen e ditës, ka nisur puna dhe nga ajri për shuarjen e flakëve. Ndërkohë që si pasojë e flakëve të zjarrit, i gjithë qyteti i Himarës është mbuluar nga re tymi.
Rreth 460 efektivë dhe punonjës të strukturave të ndryshme u angazhuan në terren për përballimin dhe shuarjen e zjarrit masiv që përfshiu kodrat e Himarës dhe u përhap drejt zonave të banuara.
Në operacion janë përfshirë rreth 300 forca, të mbështetura nga automjete zjarrfikëse dhe efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit nga Fier, Tiranë, Tepelenë, Himarë, Vlorë, Finiq, Delvinë, Sarandë, Gjirokastër dhe Dropull.
Në terren operuan gjithashtu forca të Policisë së Shtetit, strukturat e Bashkisë Himarë, Urgjenca Mjekësore dhe Qendra Vullnetare e Emergjencave Civile. Angazhimi i tyre është përqendruar kryesisht në menaxhimin e situatës, evakuimin dhe sigurinë e banorëve e turistëve, si dhe në mbështetjen e ekipeve zjarrfikëse.
Në mbështetje të strukturave civile janë angazhuar edhe 160 forca ushtarake, të cilat po kontribuojnë në operacionet për vënien nën kontroll të flakëve dhe izolimin e vatrave aktive.
Zjarri, i cili shpërtheu gjatë mbrëmjes në kodrat mbi qytetin e Himarës, u përhap në drejtim të zonave të banuara, duke shkaktuar dëme në banesa dhe detyruar autoritetet të ndërmarrin masa evakuimi. Sipas raportimeve paraprake, shtatë banesa janë përfshirë nga flakët.
Gjatë natës, ndërhyrja nga ajri nuk ishte e mundur për shkak të kushteve të operimit dhe kufizimeve për përdorimin e mjeteve ajrore zjarrfikëse gjatë orëve të errëta. Me nisjen e ditës, në operacion janë aktivizuar edhe helikopterët, për të ndihmuar në goditjen e vatrave të zjarrit nga ajri.
Forcat në terren vijojnë ndërhyrjen në disa drejtime, me fokus izolimin e vatrave aktive dhe parandalimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.
Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa strukturat e emergjencave vijojnë monitorimin e situatës dhe ndërhyrjen në zonat e prekura. Shkaku i rënies së zjarrit ende nuk është bërë i ditur.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/