FIER- Situata e zjarreve në zonën e Levanit dhe kodrinat e Fierit vijon të jetë problematike, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave po vijojnë betejën për vënien nën kontroll të flakëve.
Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, i cili ndodhet në terren, tha se zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me pyje, pemëtari dhe ullishte, ndërsa era e fortë dhe temperaturat e larta kanë favorizuar përhapjen e flakëve.
Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar dy helikopterë dhe një avion “Air Tractor”, të cilët kanë ndërhyrë edhe në vatra të tjera zjarri në vend. Sipas Çakos, ndërhyrja nga ajri ka bërë të mundur vënien nën kontroll të një pjese të konsiderueshme të flakëve që kishin rrezikuar biznese dhe zona të banuara.
Prioriteti kryesor, sipas kreut të Emergjencave Civile, mbetet mbrojtja dhe shpëtimi i jetëve, ndërsa strukturat vendore po monitorojnë zonat e banuara dhe po organizojnë lëvizjen e personave nga hapësirat e rrezikuara.
Deri tani, raportohet se disa persona janë prekur nga asfiksia dhe kanë marrë ndihmë mjekësore. Gjithashtu, një banesë e braktisur është përfshirë nga flakët, ndërsa zjarri ka prekur kryesisht zona me pemëtari dhe ullishte.
Çako deklaroi se zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga dora e njeriut dhe kërkoi që autorët e zjarrvënieve të qëllimshme të përballen me masa të ashpra ligjore.
“Hetimi, identifikimi dhe vënia para përgjegjësisë është detyrë e Policisë, e cila duhet të jetë drastike ndaj autorëve të zjarrvënies”, është shprehur Çako.
Gjatë natës, ndërhyrja do të vijojë nga toka, pasi helikopterët nuk mund të operojnë në errësirë. Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e tjera do të qëndrojnë në terren për të monitoruar vatrat dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit drejt zonave të banuara.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/