
Agjencia për Media dhe Informim pranë qeverisë njoftoi të enjten se Klodiana Spahiu propozohet nga Kryeministri për këtë detyrë “në vijim të angazhimit për një shëndetësi më të aksesueshme dhe një mirëqenie sociale më të fortë”.
Emërimi i ministrave është një e drejtë eskluzive e kryeministrit por nga ana proceduriale Spahiu duhet të votohet dhe në parlament dhe të betohet tek Presidenti që të nisë zyrtarisht punën në këtë dikaster.
Deputete e PS-së prej që prej vitit 2009, Spahiu është mjeke me profesion.
Qeveria ka shpërndarë një CV të saj ku vihet theksi tek arsimimi i saj në fushën e mjekësisë dhe mbajtja e një diplome “për menaxhimin shëndetësor”, si dhe përvoja e punës si mjeke, pedagoge dhe drejtimi i spitalit të Durrësit.
Në Cv e shpërndarë nga qeveria nuk thuhet asgjë për profilin e saj politike si deputete dhe detyrat që ka mbajtur në parlament, ku aktualisht është nënkryetare e këtij institucioni.
Të mërkurën u bë publike dorëheqja nga detyra e ministres Evis Sala e emëruar në detyrë si një prurje nga jeta akademike dhe shkencore ndërkombëtare në shtator 2025.
Pa profil politik, Sala u prezantua nga kryeministri si ‘shpresë për të ardhmen e shërbimit shëndetësor’, por sektori vijoi dhe nën drejtimin e saj të ishte një nga sektorët më problematikë në ofrimin e shërbimeve bazë për të sëmurët dhe mungesën e pajisjeve mjekësore .
Shqipëria shënon shpenzimet publike më të ulëta në rajon për shëndetësinë për vitin 2025, teksa qytetarët vijojnë t’i mbulojnë vetë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve të tyre shëndetësore.







