AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Rajoni

Demirovski: Prodhuesi maqedonas i municioneve, i paprekur nga skandalet në Serbi

I lavdëruar nga liderët politikë në Maqedoninë e Veriut, prodhuesi i municioneve Shefshet Demirovski është përfshirë dy herë në skandale spiunazhi në Serbinë fqinje, është nxjerrë nga një situatë e vështirë financiare nga një person i cili më vonë u akuzua për kontrabandë kokaine, e megjithatë gëzon një pjesë të tregut të armëve të NATO-s falë lidhjeve të forta me SHBA-në dhe Turqinë.

Sasa DragojloFrosina DimeskangaSasa DragojlodheFrosina Dimeska
3 days më parë
në Rajoni
Koha e leximit: 8 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
misteriozni trgovac oruzjem iz severne makedonije 1
Ilustrimi: Sanja Pantic/BIRN.

Rreth orës gjashtë të mëngjesit të 22 korrikut 2024, dikush trokiti në derën e shtëpisë së një inxhinieri 36-vjeçar armësh në Serbi.

I identifikuar nga autoritetet serbe me inicialet M.O., burri ishte në shtrat me gruan e tij dhe po flinte. Edhe dy fëmijët e tyre ishin në gjumë. Gruaja e tij u ngrit dhe hapi derën. Oficerë policie me maska të zeza hynë me forcë brenda, të shoqëruar nga agjentë të sigurisë serbe, dhe e përplasën M.O.-në përtokë.

Po atë natë u arrestuan edhe dy inxhinierë të tjerë armësh, D.L., 64 vjeç, dhe D.M., 63 vjeç.

Të tre burrat kishin punuar më parë për prodhuesin shtetëror të armëve Krusik. Ata dyshoheshin se i kishin siguruar një kompanie në Maqedoninë e Veriut fqinje informacione konfidenciale mbi prodhimin e predhave të mortajave 120 mm nga Krusik, kompani për të cilën kishin punuar gjithashtu – ATS Group, në pronësi të Shefshet Demirovskit.

Nuk ishte hera e parë që emri i Demirovskit dilte në një çështje të dyshuar spiunazhi industrial në Serbi. Në vitin 2019, prokurorët e akuzuan atë se kishte korruptuar një ish-punonjës të prodhuesit serb të municioneve Prvi Partizan, me qëllim që ai t’i siguronte specifikime konfidenciale lidhur me makineritë e prodhimit.

Arrestimet e vitit 2024 nxorën në pah intensitetin e konkurrencës mes prodhuesve të industrisë së mbrojtjes në Ballkan, ku Serbia krenohet me një nga industritë ushtarake më të mëdha, duke furnizuar fushëbeteja në mbarë botën.

Teksa kërkesa globale për armë dhe municione nga Ballkani është rritur, është shtuar edhe rivaliteti.

Në këtë skenë hyn Demirovski, për të cilin ka shumë pak informacion të disponueshëm publikisht.

I mbështetur nga shteti dhe me lidhje të ngushta me Turqinë, biznesmeni 50-vjeçar ka ndërtuar një nga kompanitë private më ambicioze të industrisë së mbrojtjes në Maqedoninë e Veriut, e specializuar në prodhimin e municioneve të kalibrit të vogël.

“O Zot, sikur të kishim më shumë njerëz si Sheki në këtë vend”, tha për BIRN një ish-zyrtar qeveritar, duke iu referuar Demirovskit me pseudonimin e tij.

Aktivitetet e dyshuara të Demirovskit në Serbi, megjithatë, zbulojnë një anë më pak të pëlqyeshme të suksesit të tij, si edhe lidhje të mundshme me botën kriminale të vendit.

Demirovski nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara në adresën e tij zyrtare të emailit dhe përmes Viber-it, megjithëse mesazhet në Viber rezultuan si “të lexuara”.

demirovski
Shefshet Demirovski në përurimin e ATS Inzenjering në vitin 2019. Foto: Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Arrestimi në Beograd

Demirovski zotëron tri fabrika në Maqedoninë e Veriut, nën kompaninë mëmë ATS Group.

Ai hapi të parën në Shkup në vitin 2017, duke prodhuar helmeta, jelekë antiplumb dhe pajisje të tjera mbrojtëse personale për ushtarët dhe punonjësit e policisë; në vitin 2019, themeloi ATS Engineering, e cila prodhon makineri për prodhimin e municioneve; ndërsa në vitin 2020, bleu një fabrikë municionesh të epokës socialiste në Samokov, një fshat në perëndim të Maqedonisë së Veriut, dhe e shndërroi atë në ATS Ammunition.

Gjatë gjithë kësaj kohe, ai ka gëzuar mbështetjen publike të liderëve nga i gjithë spektri politik i vendit, si edhe lidhje të ngushta me Turqinë.

Kur hapi ATS Engineering në vitin 2019, për shembull, mori pjesë kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev, nga Social Demokratët, i cili falënderoi Demirovskin për një donacion pajisjesh me vlerë 50,000 euro për policinë; pasardhësi i Zaevit, socialdemokrati Dimitar Kovacevski, vizitoi fabrikën ATS Ammunition në Samokov në vitin 2023; ndërsa në mars të vitit të kaluar, ishte radha e një qeverie të drejtuar nga VMRO DPMNE për të dërguar ministra në ceremoninë e nënshkrimit të një Memorandumi Bashkëpunimi mes ATS dhe MKE-së, kompanisë shtetërore më të madhe të mbrojtjes në Turqi, ku përcaktoheshin planet për hapjen e një fabrike të re për prodhimin e barutit.

Megjithatë, vetëm dy muaj pas pjesëmarrjes së Zaevit në përurimin e ATS Engineering në vitin 2019, Demirovski u arrestua në Serbi nën dyshimin për korrupsion.

Sipas raportimeve të mediave serbe në atë kohë, Demirovski u takua me një ish-inxhinier të Prvi Partizan në hotelin Constantine the Great në Beograd dhe dyshohet se i dorëzoi 30,000 euro, me premtimin për 30,000 euro të tjera pasi të merrte informacionin që kërkonte lidhur me prodhimin e municioneve 12.7 mm.

Kur dyshja u takua sërish, këtë herë në Hilton, ata u arrestuan.

zaev i demirovski
Kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev dhe Shefshet Demirovski në përurimin e ATS Inzenjering në vitin 2019. Foto: Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

“Aca luleshitësi”

Në fund, prokurorët i pushuan akuzat ndaj Demirovskit në vitin 2022, në këmbim të një gjobe prej 250,000 eurosh. Marrëveshja u bazua në një dispozitë që u lejon prokurorëve të vendosin gjobë në vend të dërgimit të çështjes në gjyq, kur vepra penale dënohet me më pak se pesë vjet burg. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e çështjes, kjo marrëveshje ngriti pikëpyetje.

ATS Group vijoi të prodhonte municionin e vet të kalibrit 12.7 mm.

Megjithatë, ndoshta më shqetësuese është se, sipas dokumenteve të çështjes të shqyrtuara nga BIRN, pagesa prej 250,000 eurosh nuk u bë nga Demirovski, por nga një shtetas serb i quajtur Aleksandar Milojevic, i njohur më mirë si “Aca luleshitësi” për përfshirjen e tij në tregtinë e luleve.

Në mars të vitit pasardhës, Milojevic ishte mes nëntë personave të akuzuar në lidhje me kontrabandën e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës; mes të pandehurve kishte oficerë të policisë serbe dhe malazeze, si edhe një agjent të Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës së Serbisë, BIA.

Sipas aktakuzës, të siguruar nga BIRN, kamionët e Milojevicit përdoreshin për transportimin e parave të paligjshme nga Holanda drejt Serbisë, Malit të Zi dhe Kroacisë. Ai akuzohej se kishte fshehur një pjesë të parave në apartamentin e tij në Beograd. Adresa ishte e njëjta me atë të regjistruar në emër të Milojevicit kur ai pagoi 250,000 euro për të bërë që akuzat ndaj Demirovskit të pushoheshin.

“Djem të tillë dalin gjithmonë në skenë”, tha eksperti serb i armëve Aleksandar Radic për Demirovskin. Ai e krahasoi Demirovskin me tregtarin serb të armëve Slobodan Tesic, i cili ka gëzuar një marrëdhënie të gjatë dhe fitimprurëse me shtetin serb, pavarësisht se është futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe ka qenë për një dekadë në listën e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

“Është e qartë se ai ka mbështetje të fortë nga njerëz të fuqishëm”, tha Radic për Demirovskin.

misajlovski mucunski i demirovski
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timco Mucunski, dhe ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajlovski, me zëvendësministrin turk të Mbrojtjes Kombëtare, Musa Heybet, gjatë nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet ATS dhe MKE-së. Memorandumi u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i MKE-së, Ilhami Keleş, dhe pronari dhe CEO-ja i ATS Group, Shefshet Demirovski. Foto: Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut.

Në konkurrencë me Prvi Partizan të Serbisë

Përveç helmetave, jelekëve antiplumb dhe pajisjeve të tjera mbrojtëse personale, Demirovski prodhon gjithashtu municione të kalibrave të vegjël, sipas standardeve të NATO-s, të kalibrave 9 mm, 5.56 mm, 7.62 mm dhe 12.7 mm.

Burime nga industria e mbrojtjes, të njohura me tregun e Maqedonisë së Veriut, thonë se ATS po konkurron me Prvi Partizan të Serbisë për sa i përket prodhimit.

“Serbia dëshiron të kontrollojë biznesin e prodhimit të municioneve në Ballkan dhe, për këtë arsye, e sheh Demirovskin si kërcënim”, tha një burim që më parë ishte i përfshirë në monitorimin e prodhimit të mbrojtjes në Maqedoninë e Veriut.

Duke folur në kushte anonimiteti, burimi tha se ndalimi i Demirovskit në Serbi duhet parë në kontekstin e përpjekjeve të Serbisë për të ruajtur dominimin e saj.

Megjithatë, ashtu si çështja e vitit 2019, edhe çështja që përfshin tre ish-punonjësit e Krusik lidhur me prodhimin e predhave të mortajave 120 mm mbetet në fazën e hetimit, tha një burim nga industria e mbrojtjes për BIRN, duke ngritur dyshime nëse ajo do të çojë ndonjëherë në ngritjen e aktakuzës. Demirovski nuk u akuzua asnjëherë. Të tre ish-punonjësit i kanë mohuar akuzat për shkelje. Deri më tani, ATS nuk prodhon predha 120 mm.

Anëtarë amerikanë dhe britanikë të bordit

Sipas Demirovskit, nga 40 deri në 50 për qind e prodhimit të ATS shkon në SHBA, ku ATS ka një degë të regjistruar në St. Louis, Misuri, që nga shtatori 2022.

“Ne punojmë për vendet e NATO-s që janë shumë të rëndësishme për ne dhe vazhdimisht dallohemi nga konkurrenca falë cilësisë më të mirë”, tha ai në një intervistë të rrallë në nëntor 2023. “E gjithë bota tashmë di për ne.”

Duke reflektuar fokusin e saj te SHBA-ja, ATS ka kontrata me dy firma amerikane lobimi – Mercury dhe Valcour LLC. E para është në pronësi të ish-senatorit republikan David Vitter, ndërsa e dyta e Matt Moëers, një ish-këshilltar i Donald Trump, presidentit të SHBA-së.

Përpara një vizite në Uashington në prill të këtij viti nga një delegacion i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, dokumentet e dorëzuara në kuadër të Ligjit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj në SHBA, FARA, tregojnë se Mercury, në emër të ATS, loboi për një partneritet strategjik SHBA–Maqedoni e Veriut, përmbajtja e të cilit deri diku përputhet me atë që u ra dakord më vonë gjatë diskutimeve zyrtare dhe me atë që zyrtarët maqedonas deklaruan publikisht. Disa zyrtarë aktualë mohuan se ishin koordinuar me Demirovskin, duke thënë se ai kishte vepruar me nismën e tij.

Kryetari i Bordit Këshillimor të ATS Group është gjenerali në pension i ushtrisë amerikane James L. Jones, ish-komandant suprem i NATO-s dhe forcave amerikane në Evropë, si dhe ish-këshilltar për sigurinë kombëtare i presidentit amerikan Barack Obama.

Sipas The Ëashington Post, Jones është gjithashtu këshilltar me pagesë i Arabisë Saudite dhe Libisë.

Në Bordin Këshillimor bën pjesë gjithashtu gjenerallejtënanti në pension i ushtrisë amerikane Michael Barbero, i cili ka punuar në kundërterrorizëm në Irak, si edhe John DeVito, ish-punonjës i Byrosë për Alkoolin, Duhanin, Armët e Zjarrit dhe Municionet në Nju-Jork, dhe John David Enright, i cili e përshkruan veten si një person me “mbi 30 vjet përvojë në bashkëpunim me degë të ndryshme të ushtrisë amerikane, divizione të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së dhe agjenci si CIA dhe DIA”.

generals ats 1024x625
Anëtarët e Bordit Këshillimor të ATS Group. Foto: Faqja e internetit e ATS Group.

Nga Britania, në bord bën pjesë Sër Richard Barrons, një oficer në pension i ushtrisë britanike, i cili ka komanduar Korpusin e Reagimit të Shpejtë të NATO-s dhe Komandën e Forcave të Përbashkëta të Ushtrisë Britanike.

Deputeti konservator Mark Pritchard ka shërbyer gjithashtu në bord dhe në fillim të vitit 2024 konfirmoi – në një deklaratë për median me bazë në Londër openDemocracy – se fitonte 900 euro në orë duke punuar për Demirovskin, çka shkaktoi kritika nga Partia Laburiste, duke pasur parasysh përfshirjen e Demirovskit në atë kohë në çështjen e korrupsionit në Serbi. Pritchard nuk figuron më si anëtar i bordit në faqen e internetit të ATS Group.

Lidhjet me Turqinë

Besohet se Demirovski ia detyron suksesin e tij në industrinë e mbrojtjes lidhjeve me Turqinë.

Në vitin 2008, raportimet në Maqedoninë e Veriut e identifikuan atë si përfaqësues të kompanisë turke Yalcin, e cila u përpoq, por nuk arriti, të blinte një shkrirëse plumbi dhe zinku në qytetin qendror të Velesit.

Nga viti 2021 deri në fund të vitit 2024, partneri i tij në ATS Engineering ishte Oktay Ercan, i cili ka interesa në sektorin turk të mbrojtjes dhe prodhonte mjete ajrore pa pilot në Maqedoninë e Veriut për përdorim ushtarak dhe civil. Ercan prodhoi gjithashtu uniforma për ushtrinë sudaneze gjatë diktaturës së Omar al-Bashirit, por u largua nga Sudani në vitin 2019, pas rrëzimit të Bashirit mes akuzave për korrupsion.

Përveçse ka një bashkëshorte turke, Demirovski ka ndër kontaktet e tij turke edhe familjen Bahadir, me të cilën ndërtoi një park fotovoltaik në Maqedoninë e Veriut. Kovacevski mori pjesë edhe në përurimin e saj në vitin 2020. Kur Social Demokratët humbën pushtetin, partia konservatore VMRO DPMNE vazhdoi marrëdhëniet me ATS Group, duke dërguar dy ministra në nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit me MKE-në e Turqisë në mars 2025, për ndërtimin e një fabrike të re të barutit.

Milos Katic dhe Aleksandar Djordjevic kontribuan gjithashtu në raportimin për këtë artikull.

Etiketa: Maqedonia e VeriutSerbiaShefshet Demirovskitregti armeshTregtia e armeve ne BallkanZoran Zaev
Tjetri
photo 2026 05 21 13 08 42

Ministrja e Shëndetësisë jep dorëheqjen nga kabineti i Ramës

edhe një herë për çmimin e bananeve

Edhe një herë për çmimin e bananeve

09:31 | 05/09/2026
Traumë e trashëguar: Si i mundon ende të rinjtë lufta e Bosnjës

Vuçiçi i cilëson “budallallëqe” kritikat e BE-së ndaj nderimeve për Mlladiçin

17:50 | 04/09/2026
viber image 2026 09 04 14 05 08 143 1536x1152

Kosova padit zyrtarë serbë të sigurisë për masakrën në kompleksin e familjes Jashari

17:26 | 04/09/2026
protesta te 3 shi

Gjykata i shpall të paligjshme arrestimet e 14 protestuesve te Kryeministria

17:24 | 04/09/2026
klp bosh

KLP e kthen garën për kryeprokurorin e ri në ‘një lojë kungulleshkash’

15:27 | 04/09/2026
photo 2026 09 03 21 27 44

Meta pranon se mbylli gabimisht llogari të aktivistëve shqiptarë në Instagram

11:50 | 04/09/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.