
Në sheshin Omonia të kryeqytetit grek, gjithmonë të mbushur me njerëz, një grup të rinjsh mbanin flamuj grekë dhe brohorisnin: “Ilias, qëndro i fortë në rrugën drejt lirisë” dhe “Mos harro, Ilias, ne jemi me ty”.
Ishte 20 korrik dhe Ilias Kasidiaris – i lejuar të dilte përkohësisht nga burgu – po përuronte zyrat e një partie të re, të cilën e kishte njoftuar një muaj më parë.
I dënuar në vitin 2020 për drejtimin e një organizate kriminale, Kasidiaris nuk ka bazë ligjore për të drejtuar një parti politike, por raportimet mediatike të këtij muaji sugjerojnë se një i afërm i tij ka paraqitur një kërkesë për ta bërë këtë pranë Gjykatës së Lartë.
Duke iu drejtuar mbështetësve të tij, Kasidiaris u bëri thirrje atyre të mblidhen para burgut të Domokosit nga mesi i shtatorit, kur pritet të lirohet.
Së bashku, tha ai, ata do të “dërgojnë një mesazh rezistence për të gjithë ata që po e shesin Greqinë” dhe u zotua se do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që pritet të zhvillohen në pranverën e vitit të ardhshëm.
Kasidiarisit, 45 vjeç, i është refuzuar pesë herë për lirim të parakohshëm, por muajin e ardhshëm do të jetë i lirë, pasi do të ketë vuajtur pak më shumë se gjashtë vjet nga dënimi i tij prej 13 vjetësh e gjashtë muajsh burg.
Kasidiaris, një neonazist i thekur, është përpjekur të paraqitet si një martir politik nga pas hekurave, duke shfrytëzuar mundësinë për të përdorur platformat e mediave sociale si X dhe YouTube.
Georgios Samaras, profesor i asociuar i Politikave Publike në International School for Government dhe Policy Institute në King’s College London, tha se “riemërtimi” i tij politik nisi në vitet 2020-2021, “kur ai u përpoq të distancohej disi nga retorika më ekstreme naziste”.
Kjo përfshinte dënimin, në gjykatë, të disa “akteve të neveritshme kriminale” të kryera nga mbështetës të partisë tashmë të shpërbërë Agimi i Artë, të cilën ai dikur e ndihmoi të drejtonte, përfshirë vrasjen e reperit antifashist Pavlos Fyssas dhe një sulm ndaj peshkatarëve egjiptianë.
Por pak njerëz besojnë se ai u ka kthyer vërtet shpinën vlerave të Agimit të Artë.
“Nëse shohim pas në karrierën mbi 20-vjeçare të Kasidiarisit në skenën neonaziste, do të kuptojmë se nuk ka pasur asnjë konvertim ideologjik”, tha Eleftheria Tombatzoglou, avokate e familjes së Fyssas, i cili u vra në vitin 2013 nga një anëtar i Agimit të Artë.
Tatuazh me kryq svastikë

Ish-inspektor i sigurisë ushqimore, Kasidiaris iu bashkua Agimit të Artë në vitin 2000 dhe u bë një aleat i afërt i liderit të partisë, Nikos Michaloliakos. I zgjedhur dy herë në Parlamentin e Greqisë, në vitet 2012 dhe 2015, ai u bë këshilltar bashkiak në Athinë në vitin 2019.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, ai ka shfaqur një temperament agresiv, ndonjëherë edhe të dhunshëm.
Për shembull, në vitin 2012, gjatë një emisioni televiziv të drejtpërdrejtë, ai i hodhi ujë një kandidateje të majtë për parlament dhe goditi me shuplakë një tjetër, nga Partia Komuniste; të dyja ishin gra. Në vitin 2017, në parlament, ai shtyu një deputet të partisë në pushtet, Demokracia e Re.
Kasidiaris ka lavdëruar publikisht nazistët dhe ka shprehur qëndrime neonaziste; ai ka një tatuazh me një kryq svastikë në shpatullën e majtë.
Pas shpërbërjes së Agimit të Artë, Kasidiaris krijoi partinë e tij – Grekët për Atdheun. Ai dha dorëheqjen nga drejtimi i saj në vitin 2023, për shkak të një ligji që ndalon këdo të dënuar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të drejtojë një parti politike, por Gjykata e Lartë tha se ai në të vërtetë nuk ishte larguar nga posti dhe, për këtë arsye, e ndaloi partinë të merrte pjesë në zgjedhjet parlamentare greke të vitit 2023.
I patrazuar, Kasidiaris që atëherë është përpjekur të mbetet i përfshirë në politikën greke përmes rrugëve anësore.
Tombatzoglou tha se mjetet ligjore nuk do të mjaftonin për të “përjashtuar armiqtë e demokracisë”.
“Nevojitet një ndërhyrje e konsiderueshme shoqërore për ta bërë të qartë natyrën e rrezikshme të mbështetësve të teorive të ekstremit të djathtë.”
Ribrandimi kundër establishmentit

Në daljen e tij në sheshin Omonia, Kasidiaris kishte veshur një bluzë të zezë me fjalën “Antisystem” (“Antisistem”).
“Gjatë gjithë këtyre viteve, viteve të vështira, nuk isha kurrë vetëm”, tha ai. “E dija se ju ishit gjithmonë në krahun tonë.”
Prania e tij në internet nga pas hekurave, e mundësuar nga miqtë dhe të afërmit, ka shkaktuar bujë në Greqi, ku disa kundërshtarë pretendojnë se ai ka gëzuar trajtim preferencial. Megjithatë, në prill 2023, këshilli disiplinor i burgut të Domokosit vendosi se ai nuk kishte shkelur asnjë rregull.
Ekspertët thonë se rrjetet sociale e kanë ndihmuar në ribrandimin e tij.
Kasidiaris ka kultivuar imazhin e një martiri kundër establishmentit.
Më 12 maj, ai u shfaq në kanalin YouTube të medias greke periferike Bankingneës.gr, ndërsa pesë ditë më parë kishte prezantuar librin e tij të ri para një turme të rinjsh që brohorisnin jashtë zyrës së botuesit të tij në Athinë.
“Sigurisht, një pjesë e madhe e mbështetësve të Agimit të Artë zgjodhën të ndiqnin Kasidiarisin, por ai është afruar edhe me grupmoshat më të reja, si rezultat i së cilës është krijuar një audiencë që nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me Agimin e Artë, por që janë ndjekës të tij personalë, të cilëve ai u paraqitet si një i burgosur politik gjoja i dënuar padrejtësisht”, tha Tombatzoglou.
Samaras tha se tërheqja që Kasidiaris ushtron te meshkujt e moshës 18–20 vjeç duhet parë në kontekstin e “trendit manosferë”.
“Ai është një politikan narcisist, haptazi neonazist, i cili, përmes profilit që ka ndërtuar, promovon prirjen drejt radikalizimit të së djathtës ekstreme në Greqi”, tha Samaras për BIRN.
“Ai është një totem. Ka një prani shumë të fuqishme. Shumë të rinj e shohin këtë dhe e admirojnë. Dhe pikërisht këtu qëndron potenciali i vërtetë i Kasidiarisit.”
“Ndikimi i tij është kaq i fortë sepse sistemi u përpoq të luftonte Agimin e Artë, por jo ideologjinë e tij”, tha Samaras.

Kasidiaris e dëshmoi këtë ndikim në vitin 2023, kur, përmes një postimi në X, u bëri thirrje ndjekësve të tij të votonin për një parti të panjohur të ekstremit të djathtë të quajtur Spartanët. Partia më pas fitoi 4,63 për qind të votave, mjaftueshëm për të hyrë në parlament. Po atë vit, ai u zgjodh në këshillin bashkiak të Athinës me 8,33 për qind të votave, megjithëse dënimi i tij e pengoi të merrte mandatin.
“Kasidiaris, duke përfituar nga boshllëku i krijuar pas shpërbërjes së Agimit të Artë, u shfaq për publikun e ekstremit të djathtë dhe atë pro-nazist si vazhdimësia politike dominuese dhe logjike e kësaj hapësire”, tha Tombatzoglou. “Për më tepër, ngritja e përgjithshme e së djathtës ekstreme është gjithashtu në favor të tij.”
Samaras vuri në dukje se njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, kishte komentuar mbi burgosjen e Kasidiarisit, pasi kishte reaguar ndaj një postimi në X të një gazetari norvegjez që kritikonte refuzimin e kërkesës së tij për lirim të parakohshëm. “Kjo është e tmerrshme”, shkroi Musk, i cili ka mbështetur kauza të së djathtës ekstreme në mbarë botën.
“Normalizimi i Kasidiarisit si një i burgosur politik është bërë më shumë se një fakt i mirëqenë në diskursin publik”, tha Samaras.
Tombatzoglou e akuzoi Kasidiarisin se po përpiqet të “infiltrohet” në politikën greke.
“Pavarësisht faktit se ai nuk mund të marrë vetë pjesë, është e sigurt se do të përpiqet të gjejë një mënyrë për të ndikuar në skenën politike”, tha ajo.
“Mënyra se si Kasidiaris zgjedh të riintegrohet në shoqëri është zgjedhja e tij, por është detyrë e botës demokratike të kundërshtojë përpjekjen e tij politike për të përhapur pikëpamjet dhe praktikat neonaziste.”







