AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Project Syndicate

Inteligjenca artificiale po ringjall ekonominë marksiste kineze

Deri vetëm dy vjet më parë, shumica e ekonomistëve kinezë i kushtonin marksizmit vetëm një vëmendje formale dhe u caktonin studentëve të tyre tekste mësimore perëndimore. Shfaqja e inteligjencës artificiale e ka ndryshuar këtë qasje, pasi kjo teknologji - me burim të hapur dhe e përballueshme edhe për prodhuesin më të vogël - premton ta ndihmojë Kinën të shmangë “kurthin e rentës”, një dukuri e zakonshme në ekonomitë kapitaliste.

Yanis VaroufakisngaYanis Varoufakis
4 days më parë
në Project Syndicate
Koha e leximit: 6 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
bmw leipzig media 050719 download karosseriebau max
Robotikë e avancuar e përdorur në prodhimin e automjeteve. Foto ilustruese: Wikipedia.

Teksa Kina përqafoi kapitalizmin, universitetet e saj kryesore nisën të përdornin tekstet mësimore kryesore perëndimore për t’u dhënë studentëve një kornizë të caktuar të të menduarit mbi ekonominë. “Shumica e kolegëve të mi thjesht sa i bëjnë lajka marksizmit”, më rrëfeu një profesor ekonomie në një prej departamenteve më të njohura të ekonomisë në Kinë. “Vetëm një pakicë fare e vogël e marrin Marksin seriozisht.”

Kjo ishte dy vjet më parë. Sot, revolucioni i inteligjencës artificiale po i jep një shtysë të fuqishme ekonomisë marksiste kineze.

Marksistët kinezë kanë kohë që druhen se kthesa e vendit drejt kapitalizmit do ta çojë atë në “kurthin e rentës”, të njohur në ekonomitë e Atlantikut të Veriut: një periudhë e rritjes së çmimeve të aktiveve, ngadalësimit të shpejtë ekonomik, stanjacionit, çindustrializimit dhe përçarjes shoqërore. Kur konkurrenca në sektorët prodhues i ul normat e fitimit, pronat që gjenerojnë rentë bëhen më tërheqëse për investitorët që kërkojnë kthimin më të lartë në raport me rrezikun.

Sa më shumë pasuri të orientohet drejt rentave, aq më shumë rriten çmimet e aktiveve dhe aq më shpejt pasuria zhvendoset nga industria drejt sektorit rentier. Sa më shumë pasuri të orientohet drejt rentave, aq më shumë rriten çmimet e aktiveve dhe aq më shpejt pasuria zhvendoset nga industria drejt sektorit rentier. Kurthet e rentës e zhbëjnë bazën industriale dhe i shndërrojnë dikur fuqitë krenare industriale, si veriu i Anglisë dhe Miduesti amerikan, në zona të shkreta.

Kina tashmë iu afrua një kurthi të tillë me kolapsin e kompanisë së zhvillimit imobiliar Evergrande — maja e një ajsbergu spekulativ që për pak sa nuk e fundosi mrekullinë ekonomike kineze. Akademikët kinezë besnikë ndaj regjimit i hedhin poshtë këto shqetësime, të bindur se shteti kinez, ndryshe nga homologët e tij perëndimorë, di ta drejtojë investimin në mënyrë të tillë që ta shmangë kurthin e rentës. Ata i referohen rasteve të suksesshme si mineralet kritike, energjia e gjelbër, automjetet elektrike, hekurudhat me shpejtësi ultra të lartë, mikroçipat dhe, së fundmi, inteligjenca artificiale.

Pakica e ekonomistëve kinezë që mbetën besnikë ndaj marksizmit shqetësoheshin fshehurazi se shteti kinez, sado kompetent të ishte, mund të mos mjaftonte për ta shmangur kurthin e rentës. Në fillim të vitit 2025, disa prej tyre më sugjeruan se e shihnin suficitin e jashtëzakonshëm tregtar të vendit si rezultat të një lufte të egër klasore kundër si klasës punëtore kineze, ashtu edhe asaj perëndimore, ku të vetmit fitues janë kapitalistët kinezë dhe ata perëndimorë.

Nëse klasa kapitaliste kineze në zhvillim e kanalizon shumën prej rreth 170 trilionë juanësh kinezë (25 trilionë dollarë) kursime të akumuluara nga suficiti drejt blerjes së aktiveve, Kina nuk do t’i shpëtojë kurthit të rentës. Nëse, përkundrazi, këto kursime investohen jashtë vendit, për shembull në vendet e BRICS+ ose në Afrikë, Kina do të shndërrohet, ashtu si Perëndimi para saj, në një fuqi rentiere që nxjerr suficite nga vendet në zhvillim – jo tamam një objektiv marksist. Për më tepër, duke i dërguar kursimet e tyre jashtë vendit, kursimtarët kinezë një ditë do ta gjejnë veten të varur, ashtu si kursimtarët gjermanë para tyre, nga tekat e huamarrësve të huaj – një tjetër perspektivë jo fort tërheqëse.

Një ndjenjë e ngjashme shqetësimi kishte pushtuar më herët ekonomistët marksistë kinezë sa herë përballeshin me rekomandimin standard të politikave ekonomike, të mbështetur kryesisht nga ekonomistët anglo-saksonë, se Kina duhej të rriste shpenzimet e brendshme – si ato private, ashtu edhe ato publike – për të shmangur kurthin e rentës. Marksistët kinezë dyshojnë se konsumizmi mund ta shpëtojë në mënyrë të qëndrueshme vendin nga kurthi i rentës së kapitalizmit. “Kam lexuar Shoqëria e Pasur (The Affluent Society) të Galbraith-it dhe, prandaj, e di se të vraposh gjithnjë e më shpejt në pistën e konsumizmit është një lloj ferri më vete”, më tha njëri prej tyre.

Për të kuptuar se si robotët e drejtuar nga inteligjenca artificiale në Kinë u dhanë ekonomistëve marksistë mundësinë të dilnin sërish nga periferia, duhet të rikthehemi te një parim themelor i ekonomisë marksiste: vlera ekonomike krijohet vetëm nga puna njerëzore. Vlera e një produkti pasqyron sasinë minimale të kohës së punës që kërkohet për ta prodhuar atë, në kushtet e nivelit aktual të teknologjisë dhe ekspertizës. Kapitalistët nuk mund të nxjerrin kurrë vlerë të tepërt nga një makineri – vetëm nga puna njerëzore. Makineritë industriale mund të jenë jashtëzakonisht të dobishme, por ato thjesht transferojnë vlerën që u është dhënë nga njerëzit që i kanë ndërtuar ato.

Që nga shpikja e motorit me avull, ndërsa makineritë zëvendësuan gradualisht punën njerëzore, vlera e mallrave ra, marzhet e fitimit u ngushtuan dhe kurthi i rentës u thellua. Shumë shpejt, për të rikthyer krijimin e vlerës, kapitalizmit iu desh një luftë që të tkurrte ofertën e fuqisë punëtore ose një krizë e madhe që ta bënte punën më të lirë. Kjo është kritika standarde marksiste ndaj kapitalizmit.

Marksistët kinezë besojnë se e njëjta dukuri po përsëritet me forcë të ripërtërirë në Shtetet e Bashkuara, këtë herë falë Big Tech-ut. Silicon Valley i kushton pak vëmendje prodhimit material, por është e përqendruar te ndërtimi i agjentëve të inteligjencës artificiale, të cilët ua ofron me qira individëve dhe kompanive si ofrues shërbimesh. Ndërsa sektori amerikan i shërbimeve po redukton përdorimin e punës njerëzore dhe po humbet aftësinë për të krijuar vlerë të tepërt, magnatët e teknologjisë amerikane po përvetësojnë gjithnjë e më shumë vlerë të tepërt nga prodhimi material, të cilin inteligjenca artificiale e ka prekur relativisht pak. Kurthi i rentës në Amerikë po zgjerohet, bashkë me pabarazinë, populizmin dhe konfliktin shoqëror.

Ndryshe nga kjo, kompanitë kineze të inteligjencës artificiale janë përqendruar te prodhimi material, duke përdorur robotikën industriale për të prodhuar gjëra konkrete, madje edhe perime. Zinxhirë të tërë furnizimi po automatizohen, deri te vetë projektimi i procesit të prodhimit.

Për më tepër, të gjitha këto kapacitete të inteligjencës artificiale janë me burim të hapur dhe të aksesueshme edhe për prodhuesin më të vogël kinez, me një kosto minimale. Kjo nuk është thjesht një teknologji që i jep avantazh konkurrues një Henry Ford-i apo një Steve Jobs-i. Në modelin industrial kinez në zhvillim, të mbështetur te inteligjenca artificiale, marksistët kinezë shohin bazën materiale për heqjen e vetë vlerës!

Kur koha e nevojshme e punës tkurret deri në zero në të gjithë sektorët njëherësh, mallrat bëhen aq të bollshme sa vlera e tyre e këmbimit bie në mënyrë drastike. Ajo që mbetet është një vlerë e jashtëzakonshme përdorimi – dobishmëri dhe funksionalitet. Papritur, pasuria nuk i mban më lart çmimet e aktiveve, kurthi i rentës zhduket dhe bëhet e mundur të përfytyrohet një Kinë e së ardhmes që nuk ka më nevojë të eksportojë për të ruajtur ekuilibrin e saj të brendshëm.

Argumenti më i thellë i marksistëve kinezë është se kapitalizmi nuk mund t’i mbijetojë hapit të madh të inteligjencës artificiale. Herët a vonë, për të mbijetuar, atij do t’i duhet të prodhojë kriza dhe luftëra. Kina, përkundrazi, nuk kufizohet nga e njëjta logjikë e akumulimit kapitalist të pasurisë. Duke funksionuar brenda një kuadri të kapitalizmit shtetëror, i cili u jep përparësi objektivave afatgjata ndaj fitimeve afatshkurtra, ajo mund ta çojë automatizimin deri në përfundimin e tij logjik, pa u frikësuar nga rënia e fitimeve. Ajo mund ta përthithë goditjen, t’i shpërndajë përfitimet në formën e mallrave dhe shërbimeve me çmime jashtëzakonisht të ulëta dhe cilësi të lartë dhe të krijojë parakushtet materiale për një rend shoqëror të bashkimit të lirë, ku prodhojmë sipas aftësive dhe shpërndajmë sipas nevojave dhe ku shteti, pasi të ketë ndihmuar në realizimin e utopisë komuniste, gradualisht zbehet e bëhet i panevojshëm.

Edhe nëse marksistët kinezë të rilindur kanë të drejtë, mbeten disa pyetje të vështira: Kur të arrijë ky singularitet i produktivitetit, a do të kujdeset shteti kinez që të mirat materiale dhe koha e lirë që mundësojnë robotët e drejtuar nga inteligjenca artificiale të përdoren për të krijuar kushtet e një jete vërtet të begatë njerëzore? A do të pranojë ai të zbehet e të bëhet gradualisht i panevojshëm? Apo do të krijojë terrenin për një elitë parazitare që, ashtu si Big Tech-u, do ta përdorë inteligjencën artificiale për t’u pasuruar?

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. AI Is Reviving Chinese Marxist Economics

Tjetri
veliaj ne gjykate

Erjon Veliaj e fut bashkinë e kryeqytetit në ngërç për betejën e tij ligjore

edhe një herë për çmimin e bananeve

Edhe një herë për çmimin e bananeve

09:31 | 05/09/2026
Traumë e trashëguar: Si i mundon ende të rinjtë lufta e Bosnjës

Vuçiçi i cilëson “budallallëqe” kritikat e BE-së ndaj nderimeve për Mlladiçin

17:50 | 04/09/2026
viber image 2026 09 04 14 05 08 143 1536x1152

Kosova padit zyrtarë serbë të sigurisë për masakrën në kompleksin e familjes Jashari

17:26 | 04/09/2026
protesta te 3 shi

Gjykata i shpall të paligjshme arrestimet e 14 protestuesve te Kryeministria

17:24 | 04/09/2026
klp bosh

KLP e kthen garën për kryeprokurorin e ri në ‘një lojë kungulleshkash’

15:27 | 04/09/2026
photo 2026 09 03 21 27 44

Meta pranon se mbylli gabimisht llogari të aktivistëve shqiptarë në Instagram

11:50 | 04/09/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.