
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, AGSH, shprehu të martën zhgënjimin për hyrjen në fuqi të rregullores së re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, duke kritikuar mungesën e konsultimit me komunitetin e medias.
Rregullorja, e miratuar më 17 korrik dhe që hyri në fuqi më 1 shtator, vendos një sërë rregullash të reja për sigurinë dhe sjelljen në ambientet e Gjykatës, por një pjesë e dispozitave prekin drejtpërdrejt aksesin dhe punën e gazetarëve që raportojnë mbi proceset gjyqësore.
“Prej sot, 1 shtator, ka hyrë në fuqi Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), pavarësisht shqetësimeve dhe rekomandimeve të ngritura më herët nga komuniteti i gazetarëve dhe organizatat vendase e ndërkombëtare të medias,” tha organizata në një deklaratë.
AGSH kishte kërkuar që përpara hyrjes në fuqi të rregullores të zhvillohej një proces konsultimi me gazetarët dhe organizatat përfaqësuese të medias, veçanërisht për dispozitat që ndikojnë drejtpërdrejt në punën e reporterëve.
Një analizë e mëparshme e BIRN ngriti shqetësime se rregullorja vendos barriera të reja burokratike për gazetarët, kufizon përdorimin e pajisjeve elektronike dhe i jep administratës së Gjykatës kompetenca të gjera për kontrollin e aksesit dhe pamjeve nga proceset gjyqësore.
Sipas rregullores, gazetarëve u ndalohet të mbajnë ose përdorin telefona celularë, kamera, aparate fotografike apo pajisje të tjera elektronike në vendet e përcaktuara për median. Telefonat celularë janë ndër mjetet kryesore që reporterët përdorin për të komunikuar me redaksitë dhe për të raportuar në kohë reale nga proceset gjyqësore.
Kufizimi shënon gjithashtu një kthim pas nga praktika e vendosur në vitin 2024, kur një udhëzues i miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor lejoi gazetarët të hynin me telefona celularë në sallat e gjyqit.
Rregullorja parashikon gjithashtu një mekanizëm sipas të cilit gazetarëve mund t’u kërkohet të aplikojnë të paktën 24 orë përpara për të ndjekur seanca të caktuara. Një zyrtar i GJKKO-së i tha më herët BIRN se kjo kërkesë do të zbatohej vetëm në raste specifike, kur kapaciteti i sallave është i pamjaftueshëm. Megjithatë, rregullorja nuk përcakton qartë rrethanat në të cilat aktivizohet ky mekanizëm.
Një tjetër dispozitë i jep trupit gjykues mundësinë që, në çështje me interes të lartë publik ose kur kapacitetet e sallës janë të kufizuara, regjistrimi i pamjeve të kryhet përmes një sistemi “media pool”, duke e vendosur prodhimin e pamjeve nën kontrollin e infrastrukturës së Gjykatës.
Rregullorja parashikon gjithashtu masa disiplinore ndaj gazetarëve, përfshirë pezullimin e akreditimit deri në gjashtë muaj apo revokimin e tij për shkelje të caktuara, ndërsa organizatat e medias kanë ngritur shqetësimin se nuk parashikohet një mekanizëm i qartë administrativ ankimi ndaj këtyre vendimeve.
AGSH paralajmëroi se, ndërsa mbetet e hapur për dialog me Gjykatën, do të ndërmarrë hapa për të kundërshtuar rregulloren.
“Ne mbetemi të gatshëm për bashkëpunim dhe dialog konstruktiv, por do të përdorim të gjitha mjetet për ta atakuar këtë vendim,” përfundoi AGSH.







