AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Analiza

Revolucioni i Flamingove dhe kriza e pluralizmit mediatik

Protestat nxorën në pah varësinë e televizioneve kombëtare nga axhenda politike dhe një krizë të pluralizmit që lë në periferi interesin publik dhe zërin e qytetarëve.

Blerina GjokangaBlerina Gjoka
1 week më parë
në Analiza, Artikull kryesor, Revolucioni i Flamingove
Koha e leximit: 5 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
photo 2026 06 28 20 50 09
Pankartë nga protesta e Flamingove më 28 qershor 2026 | Foto: LSA

Më 30 maj, në Pishë-Poro–Nartë, një protestë e thirrur nga aktivistë mjedisorë dhe banorë të fshatit Zvërnec kundër rrethimit të një pjese të zonës së mbrojtur mori papritur një kthesë të dhunshme. Në një video të xhiruar mes turmës, disa punonjës të sigurisë private shihen duke kapur një protestues dhe duke e tërhequr zvarrë. Pak metra më tutje qëndronin efektivë të Policisë së Shtetit. Ata nuk ndërhynë.

Pamjet, të publikuara fillimisht nga aktivistët në rrjetet sociale, u përhapën me shpejtësi. Brenda pak orësh, dhjetëra mijëra njerëz e kishin parë skenën e dhunshme. Në ekranet e televizioneve kombëtare, megjithatë, ajo thuajse mungoi.

Raportimet e mediave audiovizive kombëtare u përqendruan kryesisht te versionet zyrtare, përfshirë reagimin e policisë dhe qëndrimin e kompanisë që kishte marrë leje për zhvillimin e një projekti të madh turistik në zonë. Vetë momenti që kishte shkaktuar zemërimin, ku një qytetar tërhiqej zvarrë ndërsa policët qëndronin pasivë aty pranë, mbeti kryesisht jashtë kronikave.

Por videoja që mungoi në edicionet informative vazhdoi të qarkullonte në telefonat e njerëzve dhe u bë një nga shkëndijat e protestave që më pas morën emrin “Revolucioni i Flamingove”.

Prej më shumë se 80 ditësh, protestuesit janë mbledhur në Tiranë, fillimisht kundër projektit turistik në Zvërnec dhe më pas rreth një liste më të gjerë pakënaqësish, përfshirë mungesën e transparencës, korrupsionin dhe atë që ata e përshkruajnë si arrogancën e pushtetit.

Zemërimi nuk është drejtuar vetëm ndaj qeverisë.

Në mesin e protestuesve është përhapur bindja se televizionet kombëtare kishin zgjedhur ta censuronin ngjarjen, duke u kthyer në paterica të pushtetit të kalbur politik.

Elvin Luku, pedagog i gazetarisë, e konsideron incidentin një rast pothuajse emblematik.

“Incidenti i tërheqjes së protestuesit nën sytë e policisë në Zvërnec, që shërbeu si një shkëndijë për nisjen e protestave masive, është shembulli më i mirë për të ilustruar pavarësinë e medias në Shqipëri,” tha ai për BIRN.

Mediat audiovizive nisën ta trajtonin më gjerësisht protestën vetëm disa ditë më vonë, duke i dhënë përparësi reagimit politik ndaj ngjarjes. Për Lukun, kjo renditje nuk ishte një hollësi editoriale. Ajo tregonte atë që ai e përshkruan si “varësinë politike të mediave të mëdha audiovizive”, një perceptim që ushqeu aq shumë mosbesim ndaj tyre, sa zemërimi i protestuesve u drejtua edhe ndaj gazetarëve që mbulonin tubimet.

“Ky është vetëm rasti më i freskët,” tha Luku, “por monitorimet serioze tregojnë se cilësia e informacionit të transmetuar që i shërben interesit publik dhe jo atij politik është shumë e ulët.”

Kush e përcakton axhendën?

Në raportin e organizatës ndërkombëtare “Reporterë pa Kufij” mbi situatën e lirisë së medias për vitin 2026, Shqipëria u rendit në vendin e 83-të në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, mes 180 vendeve të përfshira në vlerësim.

Sipas organizatës, liria e shtypit në vend është përkeqësuar, ndërsa gazetarët përballen me presion politik, vështirësi në aksesimin e informacionit dhe sfida për pavarësinë editoriale.

Kjo situatë ngre, sipas ekspertëve të medias, shqetësimin nëse media po raporton në mënyrë të pavarur për atë që ndodh në vend dhe për atë që i intereson qytetarit, apo po ndikohet nga axhenda politike e qeverisë.

Për Blerjana Binon, drejtuese ekzekutive e SCiDEV, gazetaria që i shërben qytetarit nuk dominon axhendën televizive.

“Në televizionet kryesore, cikli politik shpesh e dominon ciklin informativ,” i tha ajo BIRN, duke shtuar se “një deklaratë politike mund të marrë më shumë hapësirë në lajme ose në emisionet politike sesa një problem me shërbimet publike, arsimin, shëndetësinë, punësimin apo një çështje që prek një komunitet të tërë”.

Bino e shikon problemin të lidhur me pavarësinë editoriale, presionet ekonomike, pasigurinë e punës së gazetarëve dhe marrëdhëniet e medias me interesa politike dhe ekonomike. Sipas saj, edhe vështirësitë në aksesin e drejtpërdrejtë te institucionet ndikojnë në kapacitetin e redaksive për të vendosur vetë agjendën.

“Kur gazetari ka më pak mundësi për pyetje, akses apo investigim dhe më shumë materiale të gatshme për transmetim, gazetaria rrezikon të ndjekë agjendën politike në vend që të ndikojë debatin publik.”

Dominimi i liderëve

Përqendrimi i medias te politika u bë objekt debati edhe pas publikimit të të dhënave të monitorimit nga Autoriteti i Mediave Audiovizive mbi hapësirën që televizionet i kushtojnë politikës, ku ndarja e kohës mes partisë në pushtet dhe partisë më të madhe në opozitë, PD-së, tregonte për një dominim të kohës nga PD-ja.

Ndërsa kryeministri i përdori këto të dhëna për të kundërshtuar raportet për përkeqësimin e lirisë së medias, duke sugjeruar si matës të “lirisë” kohën favorizuese ndaj opozitës, ekspertët e shohin këtë tablo si një mbizotërim të interesit politik përpara atij publik.

“Kjo sigurisht që e dëmton një pjesë të opinionit publik që vijon e mbetet besnike e ekranit të TV-së dhe më pak ato grupmosha të reja që e kanë braktisur median tradicionale si burim informacioni,” thotë Luku, duke shtuar se kjo situatë kërkon që media të përpiqet të bëjë raportim të pavarur dhe të thelluar, “pa mbetur peng vetëm i burimit politik”.

Nga ana tjetër, koha televizive kushtuar kryeministrit, qeverisë dhe institucioneve të tjera matej më vete, ndërsa, sa u përket emrave të përveçëm, koha televizive kushtuar politikës dominohej nga dy emra: Kryeministri Edi Rama dhe lideri i PD-së, Sali Berisha.

Luku e lidh këtë me mënyrën se si funksionojnë partitë shqiptare, të cilat, nga pikëpamja e strategjisë së komunikimit publik, janë të përqendruara rreth liderit. Si të tilla, edhe vëmendja e medias dhe koha e transmetimit orientohen drejt dy liderëve.

“Zërat e tjerë alternativë ose trajtohen si periferikë, ose, kur janë në kundërshtim me liderin, përjashtohen nga partia dhe gradualisht edhe nga ai grupim mediash të varura politikisht,” thotë ai.

Edhe Bino e sheh mbizotërimin mediatik të dy liderëve të lidhur me personalizimin shumë të fortë të politikës shqiptare, ku qeveria identifikohet pothuajse me Kryeministrin dhe opozita kryesore me liderin e saj.

Kjo sjell si pasojë që edhe raportimi mediatik të ndërtohet rreth asaj që thotë Rama, asaj që thotë Berisha dhe reagimit të njërit ndaj tjetrit, duke lënë në periferi aktorë të tjerë politikë, institucionet, ekspertizën dhe sidomos zërat e qytetarëve.

“Kjo ka pasoja për pluralizmin real,” thotë ajo.

Shqetësimi tjetër lidhet me mënyrën se si media përcjell mesazhet politike pa verifikim të pavarur, ose me atë që Bino e quan “avantazh strukturor i komunikimit të qeverisë”, ku aktiviteti institucional, komunikimi zyrtar, transmetimet direkte, videot dhe materialet e prodhuara nga vetë institucionet krijojnë një prani të vazhdueshme mediatike.

“Nëse redaksitë i transmetojnë këto materiale pa ndërmjetësim të mjaftueshëm gazetaresk, atëherë prania e qeverisë në media nuk vjen vetëm nga zgjedhjet editoriale, por edhe nga mënyra se si është organizuar komunikimi politik,” thotë ajo.

Kjo vlen, sipas Binos, edhe për opozitën, e cila është jashtëzakonisht e personalizuar rreth Berishës, gjë që kufizon pluralizmin brenda vetë kampit opozitar.

 

Tjetri
KAS  amniston televizionet lokale nga gjobat për reklamat politike

KAS lë në fuqi vendimin e Celibashit për mandatin e kryebashkiakut të Kuçovës

edhe një herë për çmimin e bananeve

Edhe një herë për çmimin e bananeve

09:31 | 05/09/2026
Traumë e trashëguar: Si i mundon ende të rinjtë lufta e Bosnjës

Vuçiçi i cilëson “budallallëqe” kritikat e BE-së ndaj nderimeve për Mlladiçin

17:50 | 04/09/2026
viber image 2026 09 04 14 05 08 143 1536x1152

Kosova padit zyrtarë serbë të sigurisë për masakrën në kompleksin e familjes Jashari

17:26 | 04/09/2026
protesta te 3 shi

Gjykata i shpall të paligjshme arrestimet e 14 protestuesve te Kryeministria

17:24 | 04/09/2026
klp bosh

KLP e kthen garën për kryeprokurorin e ri në ‘një lojë kungulleshkash’

15:27 | 04/09/2026
photo 2026 09 03 21 27 44

Meta pranon se mbylli gabimisht llogari të aktivistëve shqiptarë në Instagram

11:50 | 04/09/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.