Dhunoi ish-banorin e “Big Brother VIP Kosova”, shoqërohet në polici këngëtari Jozefin Marku

Nga Igli Çelmeta
5 Shtator 2026, 10:44 | Kronikë

Këngëtari Jozefin Marku është ndaluar dhe më pas shoqëruar në Komisariati nr.6 në Tiranë lidhur me një konflikt të pak ditëve më parë me Eduart Kuçin. Marku dhe disa miq të tij kanë dhunuar ish-banorin e BBVIP Kosova, Eduart Kuçin ditë më parë në autostradën Tiranë-Durrës.

Prej disa ditësh në rrjetet sociale kanë qarkulluar pamje nga dhuna e ushtruar ndaj Kuçit. Në pamje shfaqet këngëtari Jozefin Marku me disa persona të tjerë, të cilët pasi i bëjnë shenjë për të ndaluar duke përdorur tabelën e policisë Kuçit, teksa ky i fundit lëvizte me mjetin e tij McLaren, e nxjerrin nga makina dhe e dhunojnë dhe e filmojnë.

Policia e Tiranës ka nisur veprimet hetimore, janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe po punohet për identifikimin e personave që shfaqen në video. Nga hetimet e deritanishme u zbulua se video është regjistruar në Tiranë tek mbikalimi i Rinasit.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një konflikt ndërmjet disa shtetasve, sqarojmë se:

Nga verifikimet e kryera rezultoi se pamjet ishin filmuar në afërsi të mbikalimit të Rinasit.

Për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kanë kryer veprime hetimore në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.

Si rezultat i veprimeve të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, u ndaluan shtetasit J. M., 30 vjeç, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”, si dhe K. N., 31 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë drejtues i automjetit tip “Land Rover”, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja në jetën private”. Ndërkohë, u shpallën në kërkim shtetasit A. H., 48 vjeç dhe K. V., 27 vjeç.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. N., u gjetën dhe u sekuestruan një sasi municioni, si dhe automjeti tip “Land Rover”, i dyshuar se është përdorur në ngjarje.

Këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, kanë dhunuar shtetasin E. K., 26 vjeç, me pretendimin se ky i fundit kishte fyer një prej tyre.

Punohet për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos