LVV dhe LDK diskutojnë brenda partive marrëveshjen për presidentin

1 Shtator 2026, 18:00Rajoni TEMA
LVV dhe LDK diskutojnë brenda partive marrëveshjen për

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pritet të diskutojnë marrëveshjen e arritur për presidentin e shtetit me strukturat e tyre partiake.


LDK-ja ka mbledhur kryesinë në orën 14:00 për të diskutuar për kandidimin e Bekim Sejdiut për postin e presidentit.


Para nisjes së takimit, Jehona Lushaku Sadriu, tha se në takim do të diskutojnë për Sejdiun, por edhe për konstituimin e Kuvendit dhe të gjitha institucioneve “sa më shpejt që të jetë e mundur”.

E pyetur nëse partia është marrë vesh paraprakisht për emrin e Sejdiut, ajo tha se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, dhe ekipi negociues kanë pasur autorizimin për të negociuar në emër të partisë për emrin e kandidatit.


Dy orë më vonë, në orën 16:00, për çështjen e kandidimit të Sejdiut, do të diskutohet edhe brenda Grupit Parlamentar të LDK-së.


Ndërkaq, Grupi Parlamentar i LVV-së do të mbajë mbrëmjen e së martës një mbledhje ku, siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, pritet të diskutohet rreth nominimit të Bekim Sejdiut për president të Kosovës.


Prezantimi i Bekim Sejdiut si kandidat për president nga LVV-ja dhe LDK-ja u bë më 31 gusht, pas negociatave disa javëshe midis dy partive.

Për zgjedhjen e tij president kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit, i cili ka gjithsej 120 vende.

LVV-ja e Albin Kurtit fitoi 53 mandate në zgjedhjet e qershorit dhe, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, ka të paktën 61 vota, të mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.

Nëse deputetëve të LVV-së dhe dhjetë deputetëve nga pakicat joserbe iu bashkohen 18 deputetët e LDK-së, numri arrin në të paktën 81 vota.

Megjithatë, deri më tani, një deputet i LDK-së, ish-kryeministri Avdullah Hoti, publikisht ka dalë kundër kandidaturës së Sejdiut./REL

1 Komente

  1. B
    Bijte e Serbise malazezi Kurti

    Dy parti proserbe si LDK dhe LVV nuk kane cfare te diskutoin, presidentin jua ka caktuar Serbia. Dardane nuk zgjohen me!

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje