Drejtësia dhe populizmi i mediave

1 Shtator 2026, 11:53Blog TEMA
Drejtësia dhe populizmi i mediave

Nga Gelanda Shkurtaj

Tanimë, kudo është pranuar në heshtje dhe pa ndryshime Kushtetuese, se trekëndëshi i pushteteve, është zëvendësuar nga këndi i katërt që zë pushteti absolut i mediave. Influenca e tyre sot ngre’ dhe ul shtete, përçan politika e nis luftëra. Shumëllojshmëria e informacioneve që dalin prej saj, janë ndikimi i drejtëpërdrejtë i sjelljes që do të ketë individi, komuniteti dhe politika. Ndofta kjo është edhe arsyeja, pse një ditë të bukur, media e kuptoi pushtetin e saj në ndikimin e shoqërive, dhe ethshëm e konvertoi këtë nevojë në një aset. Terminologjia, ka zgjeruar konceptualitetin dhe kësisoj edhe mënyrat apo burimet nga të cilat ajo rrjedh. Gazeta e shtypur, është lënë në një kënd të anuar, zhvendosur nga format më të përthithshme të lajmit, kryesisht ato vizive duke përfshirë edhe rrjetet sociale të komunikimit, që sot gjithashtu emërtohen media. Nën parimin e lirisë së fjalës apo të shtypit, tendenca e informimit në tërësi anon peshoren drejt përfshirjes masive, më shumë se nga përmbajtja dhe korrektësia e lajmit. Demokracitë e konsoliduara, nëpërmjet kontrollit të saj me etikë dhe ligj, përpiqen t’a njëjtësojnë lajmin me objektiven, deri aty ku gazetaria të sakrifikohet në emër të së vërtetës.

Minimalisht një lajm i rremë apo një devjancë emocionale e gazetarit profesionist, janë kosto që falimentojnë edhe gjigandët e mediave botërore. Nga misioni i palëkundur i informimit dhe lajmit, në dekadat e fundit ajo është modifkuar me metamorfoza të formës dhe të përmbajtjes. Deri dje, cilësia e medias bënte vetvetiu pa ndikim selektiv, që jo gjithkush të blinte gazetën e të shpenzonte kohë për leximin. Sot, informacioni pushton paqen e individit, me forma nga më invazivet, për çfarëdolloj fakti, që tashmë rëndom quhet informacion, dhe që burimi poaq rëndom quhet media. Nuk ka tregues më të saktë, të anormalitet në të cilën ndodhet një shoqëri, sesa rritja proporcionale e profesioneve që veprojnë paradoksalisht me misionin për të cilin kanë lindur dhe vlerat që duhet të konservojnë.

LAJM APO PANIK? DIZINFORMIM APO APARENCË?

Media vizive në formatin më të zakonshëm, televizorin, që presupozon shikueshmërinë më të lartë, sfidon teleshikuesin në nivele klinike, përnga intensiteti i përqëndrimit pamor dhe dëgjimor. Në një ekran, të copëzuar me të paktën katër dritare brenda tij, djathtas jepet një lajm rreth krimeve, majtas një reklamë byreku/dhalle, poshtë me titra të lëvizshme shfaqet bursa dhe lëvizjet e kripto monedhës. Pak më lart, po aty ku gazetari interviston, një ftesë për vizitë gjinekologjike në klinikën x shfaqet me figurë, ndërkohë një proktolog nga klinika y, tregon mjekimin e emorroideve. Transmetohen  njëkohësisht, ndarjet e personazheve të showbizi-t, harxhimet, bamirësitë dhe ndërhyrjert në fytyrë dhe të pasme. Në rubrikën aktualitet, probabiliteti i mospasjes vrasje në Shqipëri, barazohet me martesat e papëve në Romë. E megjithatë, nëse ka një ditë përjashtimore, me frikën se mos injoranca kaplon gjindjen, media informon për vdekjen e dikujt nga kafshimi i gjarprit në Indi, apo të një tjetrit nga aksidenti me karrocë në Bangladesh. Shtypi i shkruar, rrezikon falimentin, nëse në ballinë, fotoja e intelektualit pa-buks (për koherencë zhargoni), analist i çështjeve ndërkombëtare, nuk bie poshtë të ndenjurave me gjalm të filane-s, apo gjokseve të fisteke-s, me statusin e nderuar këto të fundit, të të qenurit vip-e.

Manipulimi i mendjeve është i pashmangshëm në marrjen kallp të informacionit si të vërtetë dhe bindës. Liria e të shprehurit kërkon si kusht dhënien e informacioneve që kanë interes publik, jo shprehinë e lirë të fakteve nga më banalet. E gjitha kjo në emër të lirisë, pa u kuptuar se për cilën liri flitet, duke ngatërruar ndofta apo enkas, lirinë e shprehjes me shprehjen e lirë të çdo ngarkese gastrite. Në të kundërt mediat sociale këtë raport e përdorin invers duke e bërë levën e tyre të forcës. Ato, si amplifikueset e të pavërtetave që huazojnë nga portalet gjahtare të klikimeve, e gjithashtu nga mungesa e një autoriteti kontrollues, nuk kanë doganë midis inteligjencës dhe budallallëkut, duke pranuar të mirëqenë çdofakt, pa asnjëlloj filtri. Për shembull, mjafton të lexosh lajmin ku hotelexhiu i Vlorës, fjalavjen Xhelo, la me gojë hapur edhe Mosad-in përnga aftësia e tij kundërzbuluese e Idf-së.

Kriteri më i zakonshëm i anëtarësisë aktive në mediat sociale është dukja, apo aparenca. Në provë të kësaj, vjen monitorimi i ndjekjeve dhe komenteve mbi individët kur pozojnë me kostum banje apo mace, dhe kur nxjerrin një shkrim. Çudia nuk njeh cak, aty kur manipulimi i mendjeve kap nivelin e hipnozës. Individët me ndërhyrjet në trup, edhe pse ndryshimin ia faturojnë rritjes së vetëbesimit, pa ndonjë qëllim të dytë i nxjerrin ato edhe në rrjete sociale. Përgëzimet për blerjen e imazhit të ri kapin rendin e mijëra klikimeve duke përfshirë edhe ata që origjinalin e kishin parë përditë. Apogjeun e absurdit e mbërrijnë intelektualët që shkruajnë një citat ose mendim të pacekur më parë nga shkenca e filozofisë, dhe vendosin atypari edhe një foto të tyren të kuruar me AI. Citati rrënqethës përnga përmbajtja filozofike, si p.sh “gruri mbillet në tokë”, merr mbresat tronditëse të publikut facebook-ist, për mendimin sofist, aty-aty me Sokratin.

GJYQI NË SALLË DHE GJYQI PUBLIK

Në raportin midis medias dhe gjyqësorit për drejtësinë, ka një konflikt të fortë në përçimin e të vërtetës dhe në mënyrën e transmetimit të fakteve. Nëse gjykata ka për tagër një proçes të drejtë e të paanshëm, tagri i mediave kufizohet ekskluzivisht tek dhënia korrekte e informacionit. Problemi qëndron, se gazetari nuk ndalet këtu, por transmeton një lajm sipas perceptimit së tij, jo domosdoshmërisht koinçidues i të vërtetës. Versioni i ngjarjes dhënë nga gazetari shpesh nuk korrespondon me vërtetësinë përpara Gjykatës, dhe ku publiku, dëshmitarët, pjesëmarrësit, për të mos thënë edhe gjyqtyarët (rast i ndodhur), ndikohen nga ai variant. Gazetaria ndahet në seksione dhe jo gjithkush mund të bëj njëkohësisht edhe gazetarin investigativ edhe atë kulturor. Vallë në të tëra rastet gjykata është gabim?, apo mos dikush duhet të kontrollojë fjalitë e dhëna në lajm, që për të marrë sa më shumë vëmendje përdorin gjuhën e linçimit?. Në fund të ditës, gazetaria kërkon vëmendje për të patur lajm, Gjykata duhet të vërë drejtësi. Mosrespektimi në njërën anë shkel parimin Kushtetues, të prezumimit të pafajësisë, në anën tjetër, amplifikon mosbesimin tek drejtësia. Kjo e fundit, padyshim është e ngarkuar me fajet e saj, por është dhe poaq e paragjykuar nga informacioni që përcillet për të. Gjykatat duhet të marrin vendime, duke qenë të pavaruara nga presioni publik, i medias dhe ai politik. Kur media anatemon si fajtor dikë, për rrethana të paditura nga askush, ajo automatikisht ka krijuar një gjykatë publike, e cila padyshim do të gjykojë dhe do të presë një vendim shumë afër mendësisë së saj, pa ditur faktet, provat, të vërtetat që fshihen nga pas. Shoqëria jeton midis dy hendekëve të pamohueshëm, që e kanë destinuar në nivelin e psikozës sociale. Në njërën, bindja se gjykatat nuk japin drejtësi, në anën tjetër, ndikuar nga po këto media vizive, pasiguria e jetës, që pihet me kafen e parë të mëngjesit, duke raportuar vrasje, vdekje, goditje, fatkeqësi njerëzore dhe klimatike, papushim.

Lajmi transparent mbeti një mollë e ndaluar, ku memorja afatgjatë kujton planet e realizuara njëqind kuintalë për hektarë, kur vendi vdiste për bukë, tek arritjet e mëdha ekonomike, kur vendi po zbrazet për bukë. Gjykata në anën tjetër shkel rëndë lirinë e shtypit dhe të fjalës, kur tenton të largojë apo pengojë shtypin dhe gazetarët të jenë pjesë e proçeseve brenda saj. Gjykatësi nuk mund të pengojë lirinë e informimit, por ka në dorë të bëj një gjë tjetër: në vend të bllokadës, kur gjen fakte të një tjetërsimi provash apo elementësh të ngjarjes, të gjobisë gazetarin dhe median mbas tij, në pikën që kutin e fjalës dhe të mendimit, ta masin aq mirë sa të ndiejnë përgjegjësinë deri në palcë. Italia, ka vendosur marrëveshje midis Urdhërit të gazetarëve, Gjykatës dhe Dhomës së avokatisë, ku sejcili grup merr detyrimin të bëj korrektësisht profesionin për të cilin paguhet, pa shkelur në territoret e njëri-tjetrit, për të mirën e punës, drejtësisë dhe publikut. Në rast të kundërt, media duhet të ndiejë se herët apo vonë, publiku do të lodhet, dhe kthesa në kohë është gjithmonë më faqebardhë, sesa abandonimi i lexuesit, gjë e cila edhe pse jo e shpeshtë, këtu ka ndodhur. 

 

 

 

 

8 Komente

  1. B
    Beksi

    Eshte nje analize e qarte dhe e ekuilibruar per rolin e mediave ne Shqiperi. Me pelqen se si e shpjegon ndikimin e tyre paanshmeri. Shkrimi eshte i strukturuar mire dhe i kuptueshem dhe sjelle nje pasqyre te dobishme per gjendjen aktuale. Si lexues e konsideroj nje kontribute te rendesishem dhe profesional te autores…Respekte!

    Përgjigjjuni
    1. N
      Natra

      Sot ne enderr, kam pare Grida Dumen!

      Përgjigjjuni
      1. O
        Ora

        Te paska ngelur ora tek Selfo Qorri

        Përgjigjjuni
      2. N
        Natra

        Sot ne enderr, kam pare Grida Dumen!

        Përgjigjjuni
        1. L
          Lexuesi

          E qartë po shumë e gjatë dhe këtë e kuptojnë kush e lexon me vëmëndje pra me laps në dore. Sot në kohën e internetit shkrimi duhet konciz pa shumë shëmbuj. Ky është mendimi im po në përgjithësi është ok.

          Përgjigjjuni
          1. D
            Dudushi

            O Beksi qenke pallosh pa kokra nga ata qe nxjer Rama. Kjo cup nuk di se cfare thote . Eshte nje copy/paste.

            Përgjigjjuni
          2. B
            Beksi

            Eshte nje analize e qarte dhe e ekuilibruar per rolin e mediave ne Shqiperi. Me pelqen se si e shpjegon ndikimin e tyre paanshmeri. Shkrimi eshte i strukturuar mire dhe i kuptueshem dhe sjelle nje pasqyre te dobishme per gjendjen aktuale. Si lexues e konsideroj nje kontribute te rendesishem dhe profesional te autores…Respekte!

            Përgjigjjuni
            1. L
              Leni

              "Në fund të ditës, gazetaria kërkon vëmendje për të patur lajm, Gjykata duhet të vërë drejtësi". Ky eshte thelbi i problemit. Nga ana tjeter be Shqiperi, nuk kemi me pushtet ekzekutiv dhe pushteti por nje super pushtet ekzekutivo-mediatik.

              Përgjigjjuni

              Lini një Përgjigje