Si konkurruese e edicionit të 14-të të Koko Fest, në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, u ngjit shfaqja “24 orë nga jeta e një votuesi”, me regji të Driada Dervishit.
Përmes situatave dhe personazheve të sjella në skenë, shfaqja trajton marrëdhënien e individit me shoqërinë dhe realitetin politik, duke e përcjellë mesazhin përmes gjuhës së komedisë.
Regjisorja Driada Dervishi dhe trupa e aktorëve sollën një interpretim të ndërtuar mbi ritmin, dialogun dhe situatat komike, ndërsa publiku korçar e ndoqi shfaqjen si një prej produksioneve konkurruese të këtij edicioni.
“Është një nga vështirësitë më të mëdha, që është e vërteta kjo, dhe që personazhi futet shpesh në karakter, futet shpesh në personazhe të ndryshëm, të cilët i ka pasur gjatë jetës së tij, por ka dhe rrëfimtarin. Treshja, domethënë, e personazheve bën që personazhi të jetë edhe shumë i lodhshëm.
Edhe në këtë festival takohemi me njëri-tjetrin, rrimë me njëri-tjetrin, flasim me kolegët, flasim për shqetësimet tona, flasim për problemet tona dhe kjo është një gjë shumë e mirë që duhet të ndodhë gjithmonë.
Edhe shpresoj që ky festival të ketë një jetëgjatësi shumë të madhe dhe ta ndjekin edhe qytetet e tjera që të bëjnë diçka më të bukur, të bëjnë diçka për veten e tyre, për artin, për kulturën në qytetet e tyre, siç bën Korça”, tha aktori Arben Derhemi.
“24 orë nga jeta e një votuesi” i bashkohet kështu programit të Koko Fest, në një festival që përmes komedisë vijon të sjellë në Korçë trupa dhe produksione nga skena të ndryshme të vendit. A.K./TemA
Lini një Përgjigje