Aktivisti Edison Lika theksoi se kryeministri Edi Rama është një i “burgosur” në kryeministri, dhe se ai nuk mund të jetë më në këtë post, për shkak se ka treguar se ka frikë nga qytetarët e tij që ai pretendon se e kanë votuar.
Teksa mori fjalën në protestë, pasi u lirua ditën e sotme, aktivisti tha se i gjithë kabineti i tij duhet që të shkojë në burg, ndërsa përmendi edhe rastin e Belinda Ballukut, e cila tashmë është vënë nën akuzë nga SPAK.
Sipas aktivistit, lirimi i protestuesve ishte një tjetër fitore pasi gjykata i cilësoi si të paligjshme arrestimet e bëra gjatë protestës së tre ditëve më parë.
“Një kryeministër mund të jetë u burgosur në kryeministri sepse pushtetin nuk e ka marrë prej qytetarëve, por prej atyre që iu falur tokën nga Sazani e deri në Rrjoll. Një kryeministër do të vazhdojë të jetë i burgosur sepse qytetarët edhe sot i dhanë një shuplakë se drejtësia tha se arrestimi është i paligjshëm dhe se protesta është një e drejtë kushtetuese.
Një kryeministër do të vazhdojë të jetë u burgosur në kryeministri se kryetari i bashkisë së Tiranës është në burg, ish ministrja e infrastrukturës pritet të shkojë në burg. I gjithë kabineti i tij meriton të jetë në burg. Ndërsa qytetarët që kanë qenë për 72 orë në bllokun e sigurisë janë të lirë edhe aty sepse qytetarët që kanë dalë për të protestuar janë më të lirë dhe më të vendosur se kurrë për të rrëzuar këtë regjim. Ky kryeministër ia ka lëshuar shtetin në dorë bandave. Qytetarët kërkojnë që pushtetin ta kenë në dorë vetë.”, tha ai.














