“Revolucioni i Flamingove” po i afrohet ditës së 100-të të protestës, në një prej lëvizjeve më të gjata qytetare të viteve të fundit në Shqipëri. Prej afro tre muajsh, qytetarë të shumtë mblidhen çdo mbrëmje në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshojnë drejt Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndryshime në sistemin politik dhe një përfaqësim më të drejtë.
Çdo mbrëmje protesta shoqërohet me pankarta, flamuj, slogane dhe mesazhe të reja. Thirrjet “Shqipëria nuk është në shitje”, “Rama, jep dorëheqjen” dhe “Rama n’burg, Berisha n’burg” kanë qenë pjesë e protestës që prej ditëve të para, ndërsa repertori i saj është zgjeruar me slogane, ironi dhe mesazhe drejtuar qeverisë dhe klasës politike.
Nga Zvërneci në bulevardin e Tiranës
Protesta e ka zanafillën në Zvërnec të Vlorës, ku një projekt i madh turistik në një zonë të mbrojtur natyrore shkaktoi reagime për dëmtimin e dunave dhe kufizimin e aksesit të publikut në plazh.
Situata u përshkallëzua pas përplasjes së një protestuesi paqësor me rojet e një kompanie private. Ngjarja u kthye në pikën e nisjes së një mobilizimi më të gjerë qytetar, i cili më pas u zhvendos në Tiranë.
Me kalimin e ditëve, protestat morën në fokus edhe çështje të tjera, përfshirë korrupsionin, shpopullimin, mungesën e meritokracisë dhe pakënaqësinë ndaj klasës politike.
E organizuar nga aktivistë të shoqërisë civile, lëvizja është përpjekur të ruajë një profil gjithëpërfshirës, pa dallime të forta politike apo kulturore.
“Është thyer frika”
Shkrimtari dhe aktivisti Fatos Lubonja e sheh protestën si një reagim të qytetarëve ndaj një sistemi që ai e konsideron autoritar.
Sipas Lubonjës, një prej rezultateve të rëndësishme të protestës është sfidimi i narrativës se Shqipëria po përparon në rrugën drejt Bashkimit Europian, ndërsa ai argumenton se qytetarët janë përballur me pasoja të abuzimeve të regjimit politik.
Nga ana tjetër, arkitekti dhe aktivisti Andi Tepelena, një prej organizatorëve të protestës, e konsideron “thyerjen e frikës” si një prej arritjeve kryesore.
Ai thotë se mobilizimi ka treguar se ekziston ende një “nerv qytetar” dhe veçon pjesëmarrjen e të rinjve, të cilët, sipas tij, kanë kuptuar se sistemi politik dhe ekonomik aktual nuk funksionon më.
Qytetari rikthehet si aktor politik
Analisti Adri Nurellari e konsideron rikthimin e qytetarit në qendër të jetës politike si një prej rezultateve më të rëndësishme të protestës.
Sipas tij, “Revolucioni i Flamingove” ka sfiduar monopolin e partive politike mbi pakënaqësinë qytetare dhe ka treguar se frika mund të kapërcehet përmes organizimit dhe daljes së përbashkët në shesh.
Nurellari rendit si ndikime të protestës vendosjen në qendër të debatit të mbrojtjes së natyrës, pronës publike dhe vendimmarrjes pa përfshirjen e qytetarëve, si dhe rritjen e vëmendjes ndërkombëtare dhe aktivizimin e diasporës.
Ai veçon edhe krijimin e një identiteti të dallueshëm të protestës, ku flamingoja është shndërruar nga simbol i një shpendi të kërcënuar në një simbol të rezistencës qytetare.
Pavarësisht se qeveria nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për plotësimin e kërkesave të protestuesve, Nurellari argumenton se protesta ka ndikuar në raportet politike dhe në mënyrën se si qeveria po përballet me pakënaqësinë qytetare.
Edhe fakti që protestat kanë vijuar për afro 100 ditë shihet si një arritje më vete. Protestuesit kanë ruajtur mobilizimin pavarësisht temperaturave të larta, lodhjes, presioneve dhe kritikave.
Cilat janë kërkesat?
Sipas Andi Tepelenës, kërkesat kryesore të protestës mbeten të pandryshuara: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, shfuqizimi i ligjeve që konsiderohen klienteliste dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor për të krijuar kushte për një përfaqësim më të drejtë politik.
Ai veçon disa momente të rëndësishme gjatë këtyre 100 ditëve, përfshirë mbështetjen nga mediat ndërkombëtare dhe praninë e eurodeputetëve në protestë.
Për Tepelenën, një prej mesazheve më të rëndësishme të lëvizjes është se qytetarët duhet të marrin vetë në dorë fatet e tyre, pa pritur ndërhyrjen apo ndihmën e faktorëve ndërkombëtarë.
Çfarë pritet në vjeshtë?
Pas afro 100 ditësh në shesh, sfida kryesore për “Revolucionin e Flamingove” mbetet ruajtja e mobilizimit dhe kthimi i protestës në një lëvizje me ndikim të drejtpërdrejtë politik.
Tepelena paralajmëron një mobilizim të ri gjatë shtatorit, veçanërisht mes të rinjve, me synimin për përshkallëzimin e protestës drejt mosbindjes civile dhe kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie kujdestare.
Fatos Lubonja, megjithatë, vlerëson se suksesi i protestës nuk mund të matet vetëm me kohëzgjatjen e saj në shesh. Sipas tij, nëse synon të shndërrohet në një aktor real ndryshimi, lëvizja ka nevojë edhe për mbështetjen e faktorëve të tjerë, duke përfshirë drejtësinë dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ndërsa Adri Nurellari e sheh sfidën kryesore në kalimin nga protesta te një lëvizje e mirëfilltë qytetare.
“Protesta është reagim ndaj asaj që ka ndodhur; lëvizja është projekt për atë që duhet të ndodhë”, argumenton ai.
Sipas Nurellarit, fakti që njerëzit janë bashkuar në shesh për arsye të ndryshme nuk do të thotë domosdoshmërisht se tashmë janë pjesë e një organizimi të përbashkët.
Prandaj, pas gati 100 ditësh, pyetja kryesore që mbetet për “Revolucionin e Flamingove” është nëse do të vijojë të jetë një protestë e gjatë qytetare apo do të shndërrohet në një lëvizje të organizuar me një projekt konkret për të ardhmen.













