
Leonardo Da Vinçi ishte një gjeni, një vizionar, një rebel. Ai nuk është vetëm një nga artistët më të mëdhenj në histori: ai është, mbi të gjitha, një mënyrë për të parë botën. I lindur në vitin 1452, në Vinçi të Toskanës, e kaloi Rilindjen si një meteorit talenti dhe shqetësimi. Piktor, shpikës, shkencëtar, anatomist, arkitekt, por edhe shkrimtar i mendimeve të shpërndara, reflektimeve, intuitave brilante, Da Vinçi kishte një obsesion: të kuptuarit. Të kuptuarit se si funksionon trupi i njeriut, si fluturon një zog, si rrjedh uji, si lëviz natyra. Ai vëzhgoi, studioi, eksperimentoi. Dhe ai shkroi: në fletore, në margjinat e vizatimeve, së prapthi (të shkruarit në pasqyrë) për të mos e kuptuar lehtë sytë kureshtarë. Dhe pikërisht aty, në ato fjali të shënuara midis një projekti dhe një tjetri, ne zbulojmë tiparin befasues: atë të një mendimtari të lirë, i aftë për t’i shndërruar vëzhgimet në mësime autentike të jetës. Citimet e Da Vinçit nuk janë thjesht aforizma: ato janë fragmente të një mendimi që bashkon artin, shkencën, filozofinë, përvojën dhe poezinë. Të lexuarit e tyre në ditët e sotme do të thotë të rizbulosh një pamje të botës të krijuar nga kurioziteti, përulësia, shpirti kritik dhe habia. Ato na mësojnë, se mençuria e vërtetë vjen nga kurioziteti, vëzhgimi dhe përvoja konkrete. Në një botë ku gjithçka duket e shpejtë dhe sipërfaqësore, ai na kujton se të kuptuarit kërkon ngadalësim, durim dhe studim. Mbi të gjitha liri mendimi.
Përvoja është mësuesi i vetëm të cilit mund t’i besojmë.
Kush mendon pak, gabon shumë.
Thjeshtësia është sofistikimi i fundit.
Pasi të keni përjetuar fluturimin, do të ecni në tokë me sytë e kthyer nga qielli.
Ai që grindet, duke pretenduar autoritet, nuk përdor inteligjencën, por më tepër kujtesën e tij.
Koha zgjat mjaftueshëm për ata që dinë ta përdorin.
Ashtu siç ndryshket hekuri pa praktikë, ashtu edhe mendja shkatërrohet pa studim.
Uji është forca lëvizëse e gjithë natyrës.
Sytë janë dritarja e shpirtit.