Hetimet për plagosjen me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e së dielës në një lokal në lagjen “Vullnetari” në Elbasan kanë zbuluar detaje të reja mbi dinamikën e ngjarjes.
Bëhet me dije se objektivi i atentatit nuk ka qenë asnjëri prej të plagosurve, por një person tjetër që ndodhej në ambientet e lokalit në momentin e të shtënave. Katër personat e mbetur të plagosur rezultojnë të kenë qenë qytetarë të rastësishëm, të cilët janë prekur nga plumbat gjatë sulmit. Ata kanë marrë dëmtime të lehta dhe ndodhen tashmë në banesat e tyre, jashtë rrezikut për jetën.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanËeb se dyshohet se objektiv i sulmit ka qenë nipi i Kastriot Kilës, i njohur si “Ot Kila”. Sipas informacioneve paraprake nga hetimet, autori dyshohet se ka vepruar i maskuar, duke përdorur maskë silikoni dhe paruke me flokë të gjatë, me qëllim fshehjen e identitetit të tij. Ai mësohet se ka qenë i veshur me rroba të zeza, një xhup të errët dhe doreza, ndërsa ka ndjekur një skemë të organizuar për të mos lënë gjurmë.
Burimet hetimore bëjnë me dije se një nga pistat kryesore ku është përqendruar hetimi lidhet me veprimtarinë kriminale në fushën e narkotikëve, ndërsa po verifikohen edhe lidhjet e mundshme të personit që dyshohet se ishte shënjestra e atentatit.
Nga analizimi i pamjeve të kamerave të sigurisë, autori shfaqet i maskuar me një maskë silikoni dhe me flokë të gjata bionde, duke krijuar në pamje të parë përshtypjen e një gruaje. Megjithatë, sipas burimeve, bëhet fjalë për një djalë, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i mundur të përcaktohet.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertët e Policisë Shkencore kanë sekuestruar gjashtë gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve balistike për të ndihmuar në identifikimin e armës së përdorur dhe të autorit.
Ndërkohë, Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon kontrollet dhe veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit, i cili mbetet ende në arrati.

















