Politikani, matematikani dhe dramaturgu spanjoll Hoze Eshegari y Eizagyire u nderua me çmimin “Nobel” për letërsi në vitin 1904, së bashku me poetin Frederik Mistral. Një matematikan mrekulli, që u nderua me nobel në letërsi. Tingëllon paradoksale, por është historia e vërtetë e Hoze Eshegari y Eizagyire. Vlerësimi iu dha për “krijimtaritë e tij brilante”, të afta për të ringjallur në mënyrë origjinale “traditën e dramës spanjolle”. Lindi në Madrid, më 19 prill 1832, djali i një profesori grek dhe, përkundër gjithë pritshmërive të familjes, një mendje e shkëlqyer matematikore. Ishte në kulmin e karrierës si ekonomist, kur filloi t’i përkushtohej teatrit, duke u ngjitur në skenën që e kishte dashur që në rini, duke shkruar drama që do të bëheshin suksese të jashtëzakonshme.

Matematikan që e kultivoi fshehurazi pasionin për letërsinë. Ndoqi shkollën e inxhinierisë, duke u diplomuar në moshën njëzet vjeçare, për të nisur karrierën e shquar si inxhinier ndërtimi. U konsiderua pionier dhe një nga mendjet më të shkëlqyera matematikore në vend, publikimi i esesë “Llogaritja e variacioneve” ilustroi temë thuajse të panjohur asokohe. Vetëm 32-vjeç iu bashkua “Akademisë Reale të Shkencave Ekzakte”, duke mbajtur poste të rëndësishme publike. Në 1869 u zgjodh deputet dhe filloi punën si drejtor i përgjithshëm i punëve publike, duke udhëtuar në mbarë Evropën për të analizuar punimet inxhinierike në ndërtim, si tuneli Alpin dhe projekti i një hekurudhe nënujore. Një vit më pas botoi manualet matematikore: “Probleme të gjeometrisë në plan” dhe “Probleme të gjeometrisë analitike”. Fillimisht iu përkushtua botimeve shkencore, me ese të rëndësishme matematikore si “Kujtime mbi teorinë e koordinatave”. Ishte në kulmin e karrierës si matematikan dhe ekonomist, kur vendosi t’i përkushtohej pasionit të letërsisë. Kështu filloi jeta e dytë “letrare” e Hoze Eshegari y Eizagyire. Debutimin letrar e bëri në 1874, me veprën “Libri bllok”, që pati sukses të konsiderueshëm. Më parë kishte shkruar, në heshtje: “Vajza biologjike”, vepra e parë zyrtare, e cila nuk u botua kurrë. Nuk reshti së shkruari gjatë gjithë jetës. Debutimi fatlum do të pasohej nga 66 vepra në prozë dhe vargje, si “O çmenduri o shenjtëri” (1877) dhe “I madhi Galeoto” (1881). Krijimtarinë mbresëlënëse letrar dhe dramaturgjike e alternoi me rreth tridhjetë manuale dhe ese matematikore. Objekt frymëzimi qenë kryeveprat e norvegjezit Henrik Ibsen. Në kryeveprën satirike “O çmenduri o shenjtëri”, dramaturgu tregon se si ndershmëria intelektuale dënohej nga shoqëria si çmenduri. Origjinaliteti i pjesëve kombinohej me imagjinatën e jashtëzakonshme dhe aftësinë për të sajuar efekte skenike novatore. Falë studimeve inxhinierike, Eizagyire arriti të kryente një shpërthim të kontrolluar dinamiti në skenë: ishte hera e parë që dinamit u soll në skenën e një teatri. Dhe, për fat, nuk pati pasoja. Drama më e famshme, e luajtur ende sot, është “I madhi Galeoto”, ku rrëfen se si dashuria platonike e një burri për një grua të martuar u keqkuptua në mënyrë sensacionale. Protagonisti është një shkrimtar i ri i quajtur Ernesto, i cili e gjen veten, kundër dëshirës së tij, të përfshirë në marrëdhënien mes Don Hulianin dhe gruan e tij, Teodora. Tema e vërtetë e shfaqjes është fuqia shkatërruese e thashethemeve, e aftë jo vetëm për të prishur reputacionin e njerëzve në dukje të paqortueshëm, por edhe për të shkaktuar pasoja shumë më të këqija. Falë suksesit të arritur me këtë vepër, Eizagyire arriti lavdinë autentike letrare. Vdiq në Madrid më 14 shtator 1916: vdekja përkoi me fundin e një epoke të artë, që spanjollët, edhe sot, e lidhin me emrin e tij.