“I vetmi alkimist, që mund të shndërrojë gjithçka në ar është dashuria. E vetmja magji kundër vdekjes, pleqërisë, jetës rutinë, është dashuria”.
Shkrimtarja Anais Nin njihet gjerësisht si pena më e famshme e letërsisë moderne erotike, por mbi të gjitha ajo ishte një eksploruese e vërtetë e shpirtit njerëzor. Ishte e para grua që shkroi hapur në letërsi për dëshirën femërore. Për shkrimtaren, seksualiteti është thuajse po aq kompleks, sa krijimtaria e vetëanalizës të cilën do ta transkriptojë në formën e një ditari. Ditarët e Anais Nin rrëfejnë dialogë të gjatë, shënime, kritika, vëzhgime, mendime mbi temat nga më të ndryshme dhe më të larmishme, nisur nga politika tek letërsia e deri tek udhëtimet, apo për ngjarje personale.

“Ky ditar është kifi im (marihuanë), hashashi im, llulla ime e opiumit. Është droga dhe vesi im. Në vend që të shkruaj një roman, unë shtriqem me këtë libër dhe një stilolaps dhe kënaqem me refrakcionet dhe difraksionet”.
…Sekreti i një jete të plotë është të jetosh dhe të lidhesh me të tjerët, sikur ata të mos ishin aty të nesërmen, sikur ti të mos ishe të nesërmen. Ai eliminon vesin e zvarritjes, mëkatin e shtyrjes, komunikimet e pasuksesshme, marrëdhëniet e dështuara. Ky mendim më ka bërë gjithnjë e më të vëmendshme ndaj të gjitha takimeve, njohjeve, prezantimeve, të cilat mund të përmbajnë farën e thellësisë që mund të anashkalohet pa kujdes. Kjo ndjenjë po shndërrohet çdo ditë në diçka gjithë e më të rrallë, tashmë që kemi arritur një ritëm më të nxituar dhe më sipërfaqësor, tani që besojmë se jemi në kontakt me një numër më të madh njerëzish, më shumë njerëz, më shumë vende. Ky është iluzioni që mund të na mashtrojë, për të qenë në kontakt të thellë me atë që merr frymë pranë nesh. Koha e rrezikshme, kur zërat mekanikë, radiot, telefonat, zënë vendin e intimitetit njerëzor dhe koncepti i të qenit në kontakt me miliona, sjell një varfëri gjithnjë e më të madhe në intimitet dhe vizion njerëzor…
Lëvizja feministe mes viteve ‘60 dhe ‘70 e shndërroi atë në një ikonë të emancipimit femëror, nga e cila, gjithsesi, autorja gjithmonë distancohej, pavarësisht se mbante leksione dhe konferenca në universitetet më prestigjioze amerikane në vazhdën e një suksesi dhe zhurme të tillë. Në ditët e sotme ajo vlerësohet si kampione e lirisë seksuale, që pati guximin të hidhte në letër veset, dëshirat dhe mijëra anë të shpirtit të saj.