Kafeja dhe letërsia janë bërë për njëra-tjetrën, marrëdhënie e cila na ka ndryshuar kulturën dhe na e përmirëson çdo ditë jetën. Dita ndërkombëtare e kafesë festohet më 1 tetor për të promovuar dhe festuar këtë pije karakteristike dhe u lançua në Milano. Dita u krijua për të festuar këtë pije, që shoqëron jetën e miliona njerëzve. Shpesh konsumimi i saj kombinohet me një zakon tjetër të shëndetshëm – me leximin e librave. Pija përfaqëson një nga kënaqësitë më të mëdha në botë: aromatike, e nxehtë, e ftohtë, e tundur, me akull. Është ajo që të jep një zgjim të mirë në mëngjes, që të shoqëron pas drekës dhe që përbën një nga ritualet më të pëlqyera në shoqërinë tonë: “Shihemi për një kafe?”.

Kafeja është pije e dashur veçanërisht nga lexuesit, sepse shkon për mrekulli me relaksin dhe qetësinë e leximit të një libri të mirë. Historikisht, librat dhe letrat në përgjithësi kanë shkuar krah për krah me këtë pije karakteristike, mendoni pak vetëm kafenetë letrare, vendtakimet ku njerëzit mblidheshin për të diskutuar dhe gjetur një ide të re kulturore. Edhe pse ka shumë vende dhe mundësi për të lexuar, nga treni në park, leximi në kolltuk, me një filxhan të ngrohtë të pijes ikonë në njërën dorë dhe librin që na bën të ëndërrojmë në tjetrën, është një kënaqësi e patëdytë. Për më tepër, kafeja është protagoniste e shumë faqeve të letërsisë botërore. Romanet apo poezitë, aroma apo rituali i saj i pashmangshëm janë shndrruar në letërsi. Ka romane, ku kjo pije përfaqëson pikënisjen, çastin ku zë fill historia. Të tjera, ku rituali i përgatitjes është thelbësor, vlera shoqërore apo aftësia për të mbajtur zgjuar protagonistët. Mandej ka libra, kur fjala shfaqet qysh në titull, për shembull bestselleri japonez “Për sa kohë që kafeja është e ngrohtë”, ose vepra ku kafeneja është pikëkthesë për jetën e protagonistëve, si “Kafeja e mrekullive të vogla”, deri në kombinimin perfekt vjeshtor për lexuesit: libër, pije dhe një mace për t’u përkëdhelur, si në librin “Kafeneja e maceve”. Të lexosh në shoqërinë e kësaj pijeje është një fakt historik dhe kafenetë letrare janë dëshmi e kësaj. E para u ngrit në fund të shekullit të 17-të dhe përkon me përhapjen e ideve iluministe. Liria, besimi absolut tek arsyeja dhe… kafeja ishin fjalët kyçe. Po, sepse ata që u bënë mendimtarët e mëdhenj të kulturës perëndimore u takuan në këto vende për të diskutuar mbi artin, librat, historinë, ngjarjet aktuale, zakonet dhe muzikën. Këto vende ishin shumë të rëndësishme për përhapjen e kulturës, madje falë këtyre vendeve takimi, kultura zbriti nga shkëmbi i aristokracisë për të hapur rrugën e saj mes borgjezisë, duke u bërë e aksesueshme edhe për klasat e tjera. “Mendoj se lidhja e veçantë mes librave dhe kafesë është e thjeshtë: idetë”, – thotëMetju Devis.

Marrëdhënia mes kafesë dhe librave është perfekte, ato mbështesin njëra-tjetrën dhe jetojnë së bashku pa argumente. Nëse nga njëra anë njëra na ndihmon të kalojmë ditën, tjetra na ndriçon jetën, duke na sugjeruar ushqim për mendje dhe arratisje, duke na ndihmuar të kalojmë jetën. Për të mos përmendur faktin që shija e pijes na mbetet edhe pasi e kemi pirë, ashtu si një libër i mirë. Mezi harrojmë fjalitë që na rrahën zemrat dhe personazhet që na bënë të dashurohemi, që na bëjnë të mendojmë edhe ditë e ditë pasi kemi lexuar fjalën “fund” . Për më tepër, të dyja, pavarësisht se janë të lidhura me individin, kanë zënë vend në shoqëri: ne lexojmë për të diskutuar tema të caktuara me njerëz të tjerë dhe kjo pije ikonë është një moment i shkëlqyer për bisedë. Pra, pse ta ndërprisni këtë histori të mrekullueshme dashurie? Ato do të qëndrojnë gjithmonë bashkë dhe lidhja e tyre nuk do të përfundojë kurrë.