“I madhi Zot nuk shkroi se ne ishim mjalti i dheut, biri im, por kripa. Kripa, në lëkurën e papërpunuar, është diçka që përcëllon, por njëherazi nuk lejon që ajo të kalbet”.
“Ne nuk jemi dëshmitarët e fundit të natyrshëm të një qytetërimi të madh njerëzor, por të lindjes së një qytetërimi çnjerëzor, që nuk mund të kishte lindur kurrë pa sterilizimin universal, të gjerë e të pamasë të vlerave më të larta jetësore”.

Bernanos ishte largpamës në progresivizëm, në besimin patetik në shkencë dhe teknologji, në mitin e mirëqenies, në rrezikun e krijimit të një shoqërie neurotike dhe të tjetërsuar. Zgjidhja nuk është shkatërrimi i makinerive, por ringjallja e njeriut, i cili duhet të rifitojë dinjitetin, duke afirmuar lirinë e tij, që është karakteristikë e shpirtit evropian. Asokohe, ëndrra evropiane, të cilën shumë njerëz sot do ta përkufizonin si një makth teknokratik, sapo kishte filluar. Debatet mbi themelet e Bashkimit Evropian, të fshira nga çdo traktat, ende do të vijonin. Bernanos arriti t’i shihte krisjet tashmë të dukshme: “Mos më bëni të them se ekziston një “Parti e Evropës”, sepse Evropa nuk ka më as program, as doktrinë; kemi ende një lloj religjioni të Evropës, në pritje se do të ketë vetëm një bestytni, mandej asgjë…”. Ai këmbëngulte i vendosur tek imagjinata e një të ardhmeje të panjerëzishme që mund të ishte e jona.
Bernanos e ka shtruar gjithmonë si problem qytetërimi, por nuk është çështje regjimi apo sistemi ekonomik, por çështje shpirtërore. Si rrjedhojë, ne jemi dëshmitarë të lindjes së një qytetërimi çnjerëzor, të bazuar në një përkufizim të shtirur të qenies njerëzore.