“Librat kanë të njëjtët armiq si njeriu: zjarrin, lagështirën, kafshët, kohën dhe përmbajtjen e tyre”.

Poeti, eseisti dhe filozofi francez, Anëtar i Akademisë Franceze, Pol Valeri njihet për reflektimin e tij mbi ndërgjegjen, krijimin artistik dhe modernitetin. Mendimi dhe shkrimet e tij analitike lanë gjurmë në letërsinë dhe kulturën franceze të shekullit të 20-të. Evropa e Pol Valerisë është bërë një referencë kaq e dukshme, saqë nuk resht së entuziazmuari. Nëse sot rilexohet “Kriza shpirtërore”, duhet të tregohemi të kujdesshëm, që të mos marrim tonin e ngjyruar të autorit për konformizëm dhe të pranojmë t’u kthehemi thellësisht pyetjeve delikate dhe ndonjëherë polemike, për të cilat Valeri gjen formulime veçanërisht të dendura dhe delikate. “Si është e mundur, – pyet Valeri, – që ka kaq shumë shkencë dhe kaq shumë njohuri lejojnë – në kuptimin figurativ të “mos parandalohet” dhe “të bëhet e mundur”  – një shkatërrim i tillë?  Në pranverën e vitit 1919, kur Valeri shkroi “Kriza shpirtërore”, lufta kishte përfunduar muaj më parë dhe kishte lënë trashëgimi shkatërrimin dhe dëshpërimin midis të mundurve dhe fituesve.

Artikulli i dha Valerisë një famë ndërkombëtare të papritur dhe të dukshme: teksti u vendos menjëherë si një referencë në kohën e duhur, pothuajse e detyrueshme në debatin e gjerë publik dhe intelektual mbi shtetin dhe fatet e kontinentit. Në artikull Valeri u jep formë dy intuitave themelore. Së pari, për evropianët vdekja e Evropës u bë befas e imagjinueshme, e mendueshme. Qytetërimi shumë i avancuar evropian zbulon befas se mund të mos jetë i imunizuar nga fati që ka goditur qytetërime të tjera të mëdha që janë zhdukur më parë dhe se mund të reduktohet në një “emër të bukur të paqartë”, si ata që shfaqen në libra për të evokuar qytetërimet e përthithur nga historia (si Elam, Ninivë dhe Babiloni). Së dyti, për evropianët më shumë se gjithçka rrezikohet ruajtja e njerëzimit të tyre, shmangia e regresit drejt një shoqërie shtazore. Valeri nuk është i vetmi në evokimin e “rrezikut të milingonave” në këtë periudhë të parë të pasluftës: bashkë me të, Tomas Man, Benedeto Kroçe, Hose Ortega dhe Gasset etj. u drejtohen bashkëkohësve këmbëngulës dhe të alarmuar për rrezikun e rënies në një shoqëri kafshërore ose çnjerëzore. Para së gjithash, ideali evropian i Valerisë, ndryshe nga bashkëkohësit, nuk lindi dhe nuk u fut në kontekstin e pacifizmit apo internacionalizmit.

Është sigurisht një Evropë që është paqësore, në paqe, domethënë ajo që ka paqen si objektiv të sajin, por që shmang përqafimin e pacifizmit si ideologji. Një nga vështirësitë evropiane, që Valeri mediton me shumë kujdes është ekzistenca e kombeve: njësi minimale të çmuara, të domosdoshme të komunitetit evropian dhe, në të njëjtën kohë potencialisht të dëmshme, të afta për të gjeneruar luftë dhe për të mohuar unitetin e domosdoshëm të një rendi më të lartë. Valeri dëshiron të ruajë pabarazinë si vlerë jo sepse do një shoqëri të pabarabartë dhe të padrejtë, por sepse dëshiron të jetojë në një shoqëri që njeh vlera dhe modelohet rreth saj. Idealizmi i tij është thellësisht realist, ai nuk i shmanget kompleksitetit të së vërtetës, përkundrazi përpiqet të shmangë pozicionet abstrakte utopike. Me një ton kryesisht dyshues dhe pyetës, edhe pse nuk mungon të përdorë edhe fraza therëse apo argumentuese, Valeri përpiqet mbi të gjitha të lindë një mendim që sodit vendet e pasigurisë, mangësitë, grackat. Kësisoj, stili i Valerisë si shkrimtar politik është, në përputhje me të gjitha këto, neutral, asnjëherë polemizues, edhe kur ai shpreh mendime thellësisht kundër realitetit të kohës, madje edhe provokuese.

Politika ishte para së gjithash arti i parandalimit të njerëzve që të ndërhyjnë në atë që i shqetëson.