“Bota ishte shumë më e qetë dhe më e lumtur, kur nuk e dinte se çfarë ishte mëshira”.

…Flokët e zinj, herë pas here, i binin në mënyrë të shkujdesur mbi ballin e saj të gjerë, fytyra i vinte e rrumbullakët, kurse buza e sipërme, pak më e hollë i nxirrte në pah dhëmbët e bardhë që i shkëlqenin. Vetullat i kishte si fiskaja, qerpikët të gjatë dhe të zinj, hundën të drejtë e të rregullt, por sytë e saj gri ishin të habitshëm, aq të freskët e të qartë, sikur të qenë hapur për herë të parë atë ditë…

Thuhet se disa shkrimtarë janë aq shumë të kohës së tyre, sa nuk mund të jenë të të gjitha kohërave. Kjo supozohet të jetë veçanërisht e vërtetë për shkrimtarët, vepra e të cilëve është një kritikë sociale e kohës së tyre. Gjatë jetës së tij, Gollsuorthi u konsiderua si një nga shkrimtarët më të mëdhenj modernë, ndoshta shkrimtari më i madh britanik, në të njëjtin nivel ose mbi kolegët e tij, Xhozef Konrad dhe Tomas Hardi. Karriera letrare e romancierit dhe dramaturgut anglez Xhon Gollsuorth (John Galsworthy), përfshiu epokat viktoriane e eduardiane. Nobelisti i shtjellon gjerë e gjatë mendimet, emocionet dhe dyzimet e tij, duke pyetur dhe qortuar veten përpara se të veprojë. Kur lexon novelën “Lulet e mollës” duket çdo gjë e re, e fuqishme dhe interesante. Dashuria aty tingëllon aq njerëzore dhe e vërtetë,sa s’ka zemër që të mos preket e të ngashërohet. Drithërimat e zemrës, magjia e natyrës, ritmi, nota poetike e rrëfimit, të gjitha këto e ngrenë novelën në lartësinë e veprave më lirike të letërsisë moderne evropiane. Përveç statusit të tij të frytshëm letrar, Gollsuorth ishte gjithashtu aktivist i njohur shoqëror. Ai ishte avokat i hapur për lëvizjen e të drejtës së votës së grave, reformën e burgjeve dhe të drejtat e kafshëve. Gollsuorth ishte presidenti i PEN, një organizatë që kërkonte të promovonte bashkëpunimin ndërkombëtar përmes letërsisë. Gollsuorth u nderua me çmimin “Nobel” në letërsi në vitin 1932 “për artin e tij të shquar të rrëfimit që merr formën e tij më të lartë”.

…Papritur, një dhimbje ia përshkoi zemrën, padashur i erdhi ndër mend një çast i së kaluarës. Atëherë, kur nuk kishte qenë në gjendje të ruante bukurinë dhe harmoninë e vërtetë, kur ishte larguar dhe e kishte lënë përgjithmonë. Iu zgjua një ndjenjë e harruar prej vitesh të tëra, një ndjenjë që i fliste për një harmoni të ëmbël e të ashpër njëkohësisht, për atë harmoni që iu ndërpre aq papritur. Me kokën midis duarve, i shtrirë barkas mbi bar, zuri të vështronte kërcejtë nga të cilët po rriteshin lulet e lirit…