Situata nga zjarri në zonën e Qafës së Koshovicës në Fier paraqitet alarmante, pasi flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe po përhapen me shpejtësi në zonë.
Zjarri, i cili ka përfshirë kodrat e Radostinës, në vendin e quajtur “Fiqtë”, është favorizuar nga temperaturat e larta dhe era, duke vështirësuar ndjeshëm punën e forcave zjarrfikëse.
Flakët janë afruar edhe pranë pyllit me pisha në zonën e liqenit në Qafën e Koshovicës, ndërsa raportohet se dy lokale ndodhen në rrezik për t’u përfshirë nga zjarri.
Si pasojë e situatës, është bllokuar qarkullimi në aksin rrugor Fier-Levan.
Në terren ndodhen 8 mjete zjarrfikëse dhe forca të shumta, të cilat po punojnë për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve. Për shkak të përmasave të zjarrit dhe vështirësive në terren, është kërkuar edhe ndërhyrje nga ajri.
Ndërkohë, një çift ka rrezikuar seriozisht jetën, pasi është përpjekur të shuajë vetë një zjarr që kishte përfshirë pronën e tyre. Tymi i dendur që ka përfshirë zonën e Fierit raportohet se është i dukshëm edhe nga Vlora.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/