Komisionerja për Zgjerimin në BE, Marta Kos, ka anuluar vizitën e planifikuar për javën e ardhshme në Serbi, duke e lidhur vendimin me mënyrën se si po trajtohet kthimi dhe varrimi i ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mlladiç.
Mlladiç, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë luftës në Bosnje, ndërroi jetë në Hagë. Eshtrat e tij u transportuan drejt Beogradit me një avion të qeverisë serbe, ndërsa arkivoli u prit në kryeqytetin serb i mbuluar me flamurin e Serbisë.
Kos e bëri të ditur vendimin përmes një reagimi në rrjetin social X, ku kritikoi lavdërimin që po shoqëron vdekjen e Mlladiçit.
“Ratko Mladić u dënua për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Kthimi i eshtrave të tij në Beograd i kujton Evropës faqet më të errëta të historisë sonë të kohëve të fundit”, theksoi ajo.
Sipas komisioneres evropiane, mënyra se si po trajtohet figura e Mlladiçit është në kundërshtim me vlerat mbi të cilat bazohet rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.
“Lëvdimi që rrethon vdekjen e tij është i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat është ndërtuar rruga drejt BE-së. Kjo rrugë kërkon përballje me të kaluarën, pajtim të vërtetë dhe respektim të viktimave të krimeve të luftës. Vlerat që mbështesin të ardhmen tonë të përbashkët nuk janë të negociueshme. Në këtë kontekst, kam vendosur të mos vazhdoj me vizitën time të planifikuar në Serbi në këtë kohë”, shkruan Kos.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/